Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti anëtarë nga delegacioni danez në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Në këtë takim ai shoqërohej dhe nga Nënkryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Saranda Bogujevci.
Siç njoftojnë nga ZKM, kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen për delegacionin dhe angazhimin e tyre aktiv në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE) në avokimin në përkrahje të Republikës së Kosovës.
“Demokracia, sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut janë tri shtyllat kryesore të Këshillit të Evropës në të cilat Kosova ka bërë progres të madh në rajon dhe ka një kornizë ligjore të avancuar me të drejta të zgjeruara për komunitetet pakicë, theksoi Kryeministri”, thuhët në komunikatë.
Tutje, bëhet e ditur se Kurti e ka njoftuar delegacionin me progresin në avancimin e demokracisë dhe zhvillimin ekonomik dhe ka theksuar se nga anëtarësimi në Këshillin e Evropës do të përfitojnë të gjithë qytetarët, sidomos komunitetet jo shumicë të cilat përfitojnë nga qasja në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strazburg. Ai gjithashtu ka nënvizuar suksesin e Kosovës në demokraci dhe socio-ekonomi përkundër përpjekjeve destabilizuese e agresive të Serbisë pro-ruse.
” Kryeministri Kurti tha se Republika e Kosovës meriton anëtarësimin e plotë në Këshillin e Evropës, pasiqë i ka përmbushur plotësisht standardet, kriteret, kushtet dhe parakushtet e nevojshme për anëtarësim të plotë në këtë organizatë”, theksohet në komunikatë.
Në takim është folur edhe për raportet shumë të mira bilaterale mes Kosovës dhe Danimarkës dhe për orientimin e qartë të Kosovës për anëtarësim në NATO dhe Bashkimin Evropian.