Shkruar nga Afrim Imaj
Udhëheqës injorantë që falen te pseudo mjekë profanë! Nga përvoja disavjeçare për mjekimin e lidershipit komunist, profesor Hoxha veçon me neveri një dukuri “alla shqiptarçe”. Më çudit fakti, nënvizon ai në dorëshkrimet e veta, që ndonjë ministër apo anëtar i Byrosë Politike, shpërfill mjekët e specializuar dhe praktikat shkencore dhe falet te ndonjë “pathua” injorant në majë të malit.
Disa syresh edhe i përkrahin këta “doktorë popullorë”, të cilët nga padituria janë gati të kalojnë detin në këmbë. Në kujtimet e tij, profesor Hoxha veçon rastin e një ndihmësmjeku nga Veriu, që pretendonte se kishte zbuluar mjekimin e kancerit. Çudia e këtij të çmenduri, shkruan ai, bëri për vete edhe një ministër, i cili urdhëroi kirurgun e shquar Ferdinand Paparisto për t’u takuar me të. Po çfarë doli nga ballafaqimi i tyre?! Fillimisht, kirurgu i njohur e pyeti për literaturën që shfrytëzonte. “Mjeku” famëmadh i tregoi raftin e librave të shkollës së mesme mbi një sënduk të vjetër. Pastaj i dërguari nga Tirana u interesua për gjuhët e huaja që zotëronte. “Shqyp”, u përgjigj “doktori” gjynahqar te porta e së cilit nuk reshte lumi i hallexhinjve. Këtu mbaroi takimi i tyre. Kirurgu i njohur bëri relacionin për ministrin përkatës, por ishte e pamundur të bindje të pabindurit për marrëzitë e doktorit kokëbosh. “Në fund të fundit, – e përmbyll këtë histori profesor Hoxha, – udhëheqësit që besonin te këto ‘mrekulli’ të mbrapshta ishin vetë me nivel të ulët kulturor, të ngritur në mënyrë spontane në lartësitë e pushtetit nga besnikëria e verbër partiake”.
Mehmet Shehu shumë i ashpër e harbut
Mehmet Shehu ishte shumë i ashpër e harbut. Një ditë kishte thirrur në zyrë në kryeministri një kuadër nga periferia për ti komunikuar një detyrë të re në ngritje dhe po i jepte porositë e rastit. Nëpunësi para se të largohej, i tha me të qeshur: Shoku Mehemt, do preferoja që edhe po të më jepje ndonjë dekoratë, të ma dërgoje me postë e jo të më thërrisje këtu se më ngrive gjakun. Aty nga fundi i viteve 60 Mehmeti do shkonte për vizitë në Kinë. Dy ditë përpara pati një gjendje gripale me të dridhura dhe me temperaturë të lartë që arriti deri 40 gradë. Më lajmëruan dhe shkova menjëherë. Mehmeti sa u paraqita mu drejtua i inatosur: Vizitomë, mjekomë, por dua që deri nesër në drekë të jem i shëruar se do të nisem për vizitë në Kinë. Aty për aty i sugjerova ta shtynte vizitën për dy tre ditë. Në asnjë mënyrë, më tha. Janë bërë të gjitha përgatitjet e aty më presin. Sakaq i rekomandova që të merrte dhe një mjek për ta shoqëruar gjatë udhëtimit. Në asnjë mënyre, u kthye ai përsëri i prerë, do të shkoj vetëm, asnjeri nuk duhet ta marrë vesh ikjen time. Pra asnjë mjek me vete. Pasi e vizitova i dhashë mjekimin, pa e prishur gjakun. Pa e zgjatur muhabetin, mendova që po ti vazhdonte e njëjta gjendje, do të vija në dijeni shokun Hysni Kapo për të kërkuar ndërhyrjen e tij për të vendosur një mjek që ta shoqëronte gjatë udhëtimit me avion deri sa të arrinte në Kinë. Për fat të nesërmen gjendja u përmirësua dhe temperature shkoi te normalja. Mehmeti deri në atë kohë nuk kishte mjek personal. Kur shkonte për gjah merrte me vete dr. Hajro Shytin, por këtë radhë nuk donte ta merrte vesh asnjeri vizitën e tij. Ai e dinte që unë, mjeku i Enverit e ruaja rigorozisht sekretin. Nejse. Mehmeti u nis. Kaluan 15-16 ditë kur mora vesh kthimin e tij. Menjëherë u interesova në klinikën e udhëheqjes për shëndetin e tij. Shkova te drejtori i klinikës Ligor Dani, një mjek ushtarak ky i mirë si njeri, por shumë i trembur nga përgjegjësia. I thashë të shkonte të nesërmen në mëngjes në shtëpinë e Mehmetit, ta priste sa të hante mëngjesin dhe para se të dalë në punë ta pyeste për shëndetin me që ishte nisur i sëmurë në Kinë. Doktor Ligori u shtang duke më thënë se i vinte zor ti dilte përpara. Si i zënë në faj më propozoi të shkoja unë, meqenëse e kisha vizituar edhe para udhëtimit për në Kinë. Disa çaste dialogova me Ligorin deri sa i mbusha mendjen për të shkuar te Mehmeti. Në mëngjes shkoi dhe e priste në sallon që kur të dilte për në zyrë ta pyeste një minutë në këmbë. Pas rreth një ore kthehet Ligori i zbehur: “Ah ç’më bëre o Fejzi, më tha. Ç‘mu desh që shkova se më mori erzin”. Çfarë ka ndodhur?, e pyeta. Unë shkova aty, si më porosite ti, filloi të shpjegojë Ligori. E prita në sallon sa hëngri mëngjesin dhe piu kafenë. Kur doli për të shkuar në zyrë, më pa që e prisja në sallon dhe mu kthyer i inatosur: “Po ti çdo këtu?”, “kush të thirri”
Unë mora drejtqëndrim dhe i thashë se erdha për të pyetur se ishit i sëmurë para se të niseshit në Kinë. Si jeni tani dhe a ka mundësi tu bëjmë një kontroll mjekësor. Sakaq ai mu drejtua me ashpërsi: Qëroju që këtej!
Teksa e dëgjoja Ligorin me vëmendje mu shkrep e qeshura. Çfarë ka këtu për të qeshur, mu drejtua ai i sikletosur.
“Ti e di që ai është i egër në komunikim, e qetësova Ligorin. Asnjë faj nuk ke bërë. Në fund të fundit kjo është detyra jote. Nuk e di sa e mblodhi veten drejtori i klinikës, por ma do mëndja që për ditë të tëra ai ka qenë i tronditur.
Ligori kishte këmbëngulur shumë të vinte në klinikën speciale. Më në fund e kishte realizuar, por punonte me shumë frikë. Ai më herët, në vitet e luftës, kishte përjetuar një ngjarje të tmerrshme e qysh nga ajo kohë kishte mbetur si i goditur. Gjatë një rrethimi nga gjermanët në Operacionin e Dimrit, Ligori si mjek i spitalit partizan, nuk kishte mundur të tërhiqte njërin nga të plagosurit, i cili ra në duart e gjermanëve. Pikërisht për këtë gjyqi partizan e dënoi me pushkatim. Kur skuadra e pushkatimit bëhej gati të ekzekutonte vendimin, ndërhyri Vito Kapo dhe i falën jetën. Ju fal ato çaste, por gjithsesi këto përjetime lanë shumë gjurmë te Ligori.
Tani të rikthehemi te Mehmeti. Më kujtohet një herë aty nga vitet 1957-1958 kur më lajmëruan se kishte një dhimbje koke të fortë. Nga që ishte me foto fobi nuk mund të shikonte as dritat e penxheres. Shpesh i vinte për të vjellë. Shkova për ta vizituar. Aty gjeta doktor Xhavit Gjatën, dr. Agalliun dhe infermierin Ilmi Dume, vëllain e Petrit Dumes që bënte ndërkohë dhe detyrën e zëvendësdrejtorit të klinikës. Aty për aty më informuan për gjendjen dhe më thanë se nuk pranonte për tu vizituar. Madje ai kishte shpërfillur dhe kërkesën e Fiqiretit. Ai ishte mbyllur në një dhomë dhe nuk dëgjonte dot asnjë zhurmë. Aty nuk pranonte as gruan. Kishte mbyllur dritaret dhe grilat dhe rrinte shtrirë në krevat.
“Po sikur të ketë ndonjë melingjit, ju thashë, ju si rrini pa e vizituar”
“Kemi frikë të hyjmë në dhomë”, përgjigjet Xhaviti. Sakaq nxitova të shkoj te ai dhe hapa derën. Mehmeti ishte në shtrat në errësirë, me fytyrë nga tavani me sy të mbyllur. Ju afrova pranë. Ku e ndjeni më shumë dhimbjen e kokës, e pyeta. Deshi të më thoshte diçka por aty për aty përmendi vetëm germën SH disa herë. I vura dorën te qafa dhe e pyeta nëse kishte dhimbje aty. Nuk më foli. Dola nga dhoma dhe shkova në katin e parë ku ishte ekipi mjekësor. U konsultova me ta dhe i vendosëm një mjekim për ta qetësuar. Pas këtij mjekimi shkoi në BS ku bëri një pushim dhe disa ekzaminime për të cilat nuk u interesova më meqenëse nuk më vinin në dijeni si mjek pa parti.
Një urgjencë për shoqen Fiqirete
Një natë dimri të vitit 1968 më lajmëruan në shtëpi për një urgjencë në shtëpinë e Mehmet Shehut. Dola shpejt e shpejt dhe hipa në makinën që më kishin dërguar. Kush e di çfarë do ketë ndodhur, thashë me vete megjithëse e dija që atje bënin urgjencë edhe kur nuk ishte e tillë. Herë pas here në radion që kishte oficeri që më shoqëronte dëgjohej një zë “Ku jeni” “edhe sa minuta doni të mbërrini” E vërteta është se ata i kërkonin punët si me sustë. Sidoqoftë deri sa arrita aty nuk isha i qetë. Infermierja që më priti te dera më qetësoi. “Nuk ka gjë për tu shqetësuar”, më tha ajo. “Fiqiretes i dhëmb pak këmba dhe është bërë merak” Shkova në dhomë dhe e vizitova. Në njërën këmbë dallohej një venë varikozë e lehtë.
“Më dhëmb jashtë mase, ç’të bëj për këtë”, mu shpreh ajo. Kur i thashë për të thirrur ndonjë kirurg, ajo refuzoi duke u shprehur se nuk ishte nevoja. Me sa kuptova, hallin e kishte gjetkë. Këmba e sëmurë në këtë rast mund të bëhej shkak për një vizitë në Paris! E vërteta është që rrugëtimin për aty ajo mund ta rregullonte vet, pa ndihmën time, por me sa dukej i duhej një justifikim për shokët e udhëheqjes, i duhej të përdorte kësisoj edhe rekomandimin tim. Unë pasi e pashë që nuk kishte shenja të një tromoflebiti, i dhashë mjekimet e rastit dhe e porosita që ta mbante këmbën lart në një jastëk për disa orë dhe të evitonte sa të mundej lëvizjet e sforcuara. Ajo e pakënaqur nga reagimi im, deshi të thoshte diçka, por aty për aty u hap dera dhe u fut Mehmeti i xhindosur.
“Ku jeni ju mjekët, që u paguajmë sa qimet e kokës, thirri ai i nevrikosur, kur kemi nevojë nuk ju gjejmë dot, apo prisni të vini kur të vdesim. Atëherë nuk ua kemi nevojën” E sqarova se në rastin konkret unë erdha sa më lajmëruan megjithëse sa isha kthyer nga puna. Pastaj, i shpjegova se për raste urgjente ishte klinika speciale. Unë punoj në spital, shtova, e aty shkoj vetëm për ndonjë konsultë. Po zemërimi i tij as donte t’ia dinte për çfarë flisja. Gërthiti me të madhe, më qortoi rëndë si të isha ndonjë rrugaç dhe më hakërrye sikur do më qëllonte me pëllëmbë. Për çaste të tëra mbeta si i ngrirë. Në fund, pasi e pashë që nuk kishte të rreshtuar, i thashë se do kërkoj të dal në pension, meqë puna ime nuk u pëlqen. Të dalësh sa më parë më tha me harbutëri. Qysh të nesërmen bëra dokumentet dhe u paraqita me to se instituti i sigurimeve shoqërore. Kur prisja të merrja librezën e pensionistit më thirrën në KQ me porosi të Enverit dhe aty më kthyen mendimin për tu rikthyer në punë.
Një debat në zyrën e Mehmetit
Një ditë Mehmeti më thirri në zyrë. Shkova. E gjeta bashkë me Hysni Kapon. Që në fillim nisi me shkreptima. E gjithë kërkesa e llogarisë kishte të bënte me një diagnozë të gabuar që kishin vendosur mjekët e udhëheqjes për Sokolin, djalin e Enverit, i cili ishte kuruar më vonë në Paris. I shpjegova pozicionin tim në lidhje me përcaktimin e kësaj diagnoze, por ai nuk donte t’ia dinte. Ne tha ai, kemi dhe prova të tjera që ti punon si me përtesë për shokët e udhëheqjes dhe aty për aty më përmendi biografinë e vjehrrit që ishte dënuar 20 vjet nga pushteti popullor. Në rastin e Sokolit unë nuk kisha asnjë faj, përkundrazi. Mehmeti më akuzonte pa të drejtë nga urrejtja që kish për mua dhe kërkonte shkak të më zhdukte…
Një debat tjetër në zyrën e Mehmetit
Ishte fillimi i vitit 1967. Enveri po përgatiste një material për një plenum partie. Ngaqë punonte pa ndërprerje i kishte ndërprerë krejt shëtitjet dhe nuk ndryshonte as ushqimin. Ishte kjo arsyeja që për pesë ditë glikemia i ishte rritur, megjithë dozat e larta të insulinës. Ato ditë bashkë me Kostandinën, infermieren e tij, i qëndruam afër. Shoku Hysni Kapo që përgjigjej për shëndetin e Enverit kishte dalë për vizitë jashtë shtetit. Kur gjendja e Enverit u përmirësua më thirri Mehmeti në zyrë. Nuk e di nga e kishte marrë vesh dhe më lajmëroi urgjent për tu paraqitur.
“Si është shoku Enver?”, më pyeti që në fillim. I thashë se është mirë. “Po para tre ditësh, si ka qenë?” vazhdoi ai. I shpjegova se një natë ka qenë i shqetësuar. “Pse nuk lajmërove?” u hakërrye me zë të lartë.
“Shoku Hysni që përgjigjet për këtë punë, i thashë, është jashtë shtetit”
“Pse nuk më vure mua në dijeni, apo nuk më vlerëson?” shtoi Mehmeti kërcënueshëm. Aty për aty nuk fola. Më herët Hysni Kapo më kishte thënë se për shëndetin e Enverit do të vija në dijeni atë dhe asnjeri tjetër, qoftë edhe shok të Byrosë Politike.
Unë këtë nuk mund t’ia thosha Mehmetit, prandaj u mjaftova me justifikimin se nuk doja t’iu shqetësoja.
“Ku e di ti që unë nuk do të sillja mjekë të tjerë edhe nga Amerika po të ishte nevoja”, u përgjigj Mehmeti. “Kam bërë gabim, i thashë për të normalizuar situatën. Kujdes herë tjetër, urdhëroi ai dhe më tha të largohesha. Ika i stresuar. Kur erdhi shoku Hysni, nuk e vura në dijeni për çka kishte ndodhur me Mehmetin. Me të kisha gati raporte të përditshme ku flisnim për shëndetin e shokut Enver. Vazhdova kështu sa ishte gjallë Hysniu. Atij dhe vetëm atij i sqaroja çdo gjë rreth sëmundjes së Enverit. As Mehmetit, e as ndonjë anëtari Byroje nuk i thosha gjë. Ata bile e dinin këtë rregull dhe nuk më pyesnin. Veçse ndonjëherë Babë Myslimi e Shefqet Peçi më pyesnin me dashamirësi dhe u thoja se komandanti gëzon shëndet të plotë, madje edhe kur situata ishte kritike.
Pol Miliezi në Paris: Pse e vratë Mehmet Shehun?
Të nesërmen e vetëvrasjes së Mehmet Shehut në Tiranë, më thirri në zyrë Enver Hoxha. Shkova menjëherë. I gjeta duke biseduar rreth një tavolinë me Ramiz Alinë. Ishte mbrëmje. Shoku Enver, jo si zakonisht kur më pa më pyeste për shëndetin dhe të rejat e ditëve që nuk ishim takuar, këtë herë më komunikoi që në fillim se të nesërmen duhet të nisesha në Paris. Pastaj më sqaroi se aty ndodhej për mjekim Semiramizi, e shoqja e Ramiz Alisë, e cila shoqërohej nga doktoresha Adelina Mazreku.
“Ti i njeh më mirë profesorët atje, më tha Enveri, dhe mund ta ndihmosh më shumë. Fillimisht shko e takoju me profesor Miliezin dhe kërkoi mendimin se me cilin specialist këshillon ai për të ndjekur epikrizën e Semiramizit. Pasi u sqaruam për çështjen e parë, Enveri, nuk harroi të më porosiste për një problem tjetër. Një ditë më parë kishte vrarë veten Mehmeti, dhe ai, i bindur që profesor Miliezi do interesohej për këtë ngjarje, më dha udhëzimet përkatëse. “Po të pyeti çfarë ndodhi me Mehmetin, më instruktoi shoku Enver, i thuaj që pësoi një diekuilibrim dhe në një moment krize nervore vrau veten” Kjo si të thuash ishte formula standarde me të cilën do operoja në takimin me profesorin francez që njihej edhe për miqësinë e afërt me Mehmet Shehun. Sa mbërrita në Paris, shkova të takohesha me profesor Miliezin në klinikën e tij. Ju luta të më shoqëronte për aty, ambasadorit tonë në Francë, Petraq Pojanit. Atë e njihja më herët. Ishte njeri mediokër e me kulturë të kufizuar, tip mendjemadh e i dëshiruar për lëvdata. Karriera e tij, kishte pasur për strumbullar vetëm njohjen dhe ndërhyrjen direket të Ramiz Alisë. Gjatë viteve të luftës ky i fundit për një kohë të gjatë kishte jetuar në shtëpinë e prindërve të tij në Berat. Me sa duket, Ramizi, në emër të mirënjohjes, kishte ndërhyrë fuqishëm për karrierën e tij. Por mënyra si e ushtronte detyrën Petraqi linte shumë për të dëshiruar. Gjithsesi, atë mbrëmje shkova bashke me të te profesor Miliezi. Sa u futëm në zyrën e tij, ai na priti i vrenjtur, duke na thënë disi i revoltuar: Çka ndodhur me Mehmet Shehun? Pse e vratë! Aty për aty i thashë se Mehmeti në një moment krize nervore vrau veten, duke përsëritur kështu fjalë për fjalë atë çka më kishte thënë në Tiranë Enveri. Një moment e pashë në sy. Ai u revoltua më tepër dhe mu kthye nervoz: Nuk mund të jetë e vërtetë. Këtë nuk e beson njeri kurrë. Mehmeti ishte njeri shumë i ekuilibruar dhe inteligjent. Unë jam njohur nga afër me të. Pastaj profesori francez filloi të tregojë rrethanat si ishte njohur me Mehmet Shehun.
“Në fillim jam njohur me shoqen Fiqiretin, të cilën ma prezantoi profesori Jeam Bernard. Ishte koha kur Shqipëria sa ishte prishur me Bashkimin Sovjetik. Ne, më shpjegoi gruaja e Mehmetit, jemi shkëputur nga Moska dhe jemi divorcuar totalisht me vendet e lindjes. Tani, më tha ajo, presim që ju të na ndihmoni e të kujdeseni për shëndetin tonë”
Që prej asaj dite, shtoi Miliezi, i dhashë fjalën time dhe u lidha shumë me Mehmetin dhe nëpërmjet tij dhe me udhëheqësit e tjerë të Tiranës. Në fakt Miliezi konfirmonte një të vërtetë. Ai prej vitesh kishte vendosur lidhje miqësore të fuqishme me Mehmetin. Mehmeti me Fiqireten i çonin shpesh herë dhurata e peshqeshe të vlefshme dhe e prisnin në Shqipëri si ndonjë princ.
“Burra si Mehmeti, përsëriti disa herë atë natë profesor Miliezi, nuk e vrasin kurrë veten. Gënjeshtër kjo që thoni. Nuk do tua besoj kush!” Unë e dëgjova dhe preferova të hesht, ngaqë nuk dija ç’i thonja tjetër. Sakaq ambasadori vazhdonte monologun e tij me formulat stereotipi. Një moment i rashë me këmbë për ti lënë të kuptonte se kishim ardhur për tjetër gjë te zyra e profesorit dhe jo për këtë. Miliezi na njohu me opinionin e medies së Parisit për këtë ngjarje, sipas së cilës Enveri e Mehmet Shehu ishin grindur ashpër në një mbledhje të Byrosë Politike dhe në një moment kishin nxjerrë koburet dhe Enveri kishte qëlluar i pari. Pas disa ditëve në Paris na erdhi më i plotë varianti zyrtar i vetëvrasjes së Mehmetit. Tanimë ishte trilluar më gjatë dhe ishte kompletuar si histori. Sipas këtij varianti, Mehmeti gjoja kishte qenë një komplotist dhe poliagjent i hershëm, i rekrutuar si i tillë që në vitet e shkollës Harri Fulltz në Tiranë…