Xhevat Bunjaku nga komuna e Gjilanit pretendon se është dhunuar fizikisht nga disa policë të po këtij qyteti.
Lidhur me rastin ai i ka treguar edhe disa fotografi në të cilat shihet i mavijosur dhe gjakosur. Në rrëfimin e tij ai tregon se se si ka filluar problemi.
“Më ndaluan 4 policë. Po i them policë se këta kishin qenë gangstera. Dy prej tyre më thojnë kinse i kam sha para 3 jave te posta e madhe. Unë i them nuk të kam sha. Redbulla i kemi pagu… për respekt”.
Ndër të tjerash thotë se nga këta pjesëtarë të Policisë së Kosovës u kërcënua edhe me jetë dhe u sha me robë.
“Dy më kanë rrahë, i treti më ka mbajtë. I katërti ka ndejt para makinës time. Më lidhin këta, pasi më lidhin më bjen shkelm në shpinë e më gjuan për toke”.
Bunjaku këtë rast e ka denoncuar në Inspektoratin Policor të Kosovës.
Këta të fundit, në një përgjigje për gazetën online Reporteri.net kanë thënë se ankesa është në fazën e trajtimit fillestar në Departamentin për Menaxhimin e Ankesave.
“Duke ju referuar kërkesës suaj IPK ju konfirnon se ka pranuar sot ankesën nga qytetari në fjalë. Ankesa e tij është në fazën e trajtimit fillestar në Departamentin për menaxhimin e ankesave“.