Del kudo, në çdo postim e rrjet dhe të gjithë u marrosën pas saj! Bëhet fjalë pikërisht për çokollatën e famshme të Dubait.
“Çokollata e Dubait” është një përzierje e çokollatës, kadaifit dhe kremit të fëstëkut. E njohur gjithashtu si ‘Can’t Get Knafeh Of It’, ajo u krijua nga Sarah Hamouda.
Por, fama e kësaj çokollate mund të sjellë pasoja të rënda për konsumatorët dhe shëndetin e tyre. Për shkak të numrit të lartë të shitjeve, shumë prodhues të çokollatave janë duke abuzuar me cilësinë dhe çmimin e saj.
Në vend të ingredientëve origjinalë, ata po përdorin shumë produkte alternative të lira, të ngjashme dhe aspak të shëndetshme.
Sipas një hetimi të kryer në Gjermani, çokollatat e importuara nga Lindja e Mesme kanë në përbërje të tyre shumë elementë kancerogjenë.
Këtu përfshihen vaji i palmës, ngjyruesi i ushqimit, aq më tepër ai në ngjyrë të gjelbër, toksinat e prodhuara nga myku dhe madje shumë komponentë të tjerë që shkaktojnë kancerin.
Hetimi u krye nga Zyra e Hetimeve Kimike dhe Veterinare (CVUA) Shtutgart, një zyrë në Baden-Württemberg që fokusohet në sigurinë ushqimore. Pas vëmendjes virale të “Can’t Get Knafeh Of It’s” vitin e kaluar, ekspertët testuan 8 mostra të çokollatës të importuara nga Dubai, 5 nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe 3 nga Turqia.
Hetimi gjeti gjurmë të vajit të palmës, i cili ka qenë prej kohësh i lidhur me çështje shëndetësore si sëmundjet e zemrës.