spot_img
Monday, November 25, 2024
spot_img

Kryeprokurori i Manhattan do të jap dorëheqjen para inaugurimit të Presidentit Trump

Damian Williams, prokurori federal në Manhatan, tha të hënën se kishte në plan të jepte dorëheqjen më 13 dhjetor, rreth një muaj përpara se të marrë detyrën Presidenti i sapozgjedhur Donald Trump.

Edward Kim, i cili aktualisht shërben si zëvendës i Williams, do të ushtrojë përkohësisht detyrën e prokurorit për qarkun e Nju Jorkut.

Zyra e Williams ka një shkallë të pazakontë pavarësie nga Departamenti i Drejtësisë dhe njihet për hetimin dhe ngritjen e akuzave në rastet e profilit të lartë të mashtrimit financiar dhe korrupsionit publik.

Presidenti i zgjedhur Donald Trump në fillim të këtij muaji tha se do të emëronte ish-kryetarin e Komisionit të Letrave me Vlerë, Jay Clayton për të udhëhequr zyrën. Pozicioni kërkon konfirmim nga Senati.

Gjatë mandatit të tij, Williams siguroi dënimet e disa miliarderëve me akuzat për mashtrim, një gjë që ai ka treguar prej kohësh se ishte përparësi kryesore për të.

Udhëheqësi i dikurshëm i një prej kriptomonedhave Sam Bankman-Fried u shpall fajtor nëntorin e kaluar me akuzat për vjedhjen e rreth 8 miliardë dollarëve nga klientët. Themeluesi i “Archegos Capital Management” Sung Kook Hwang u dënua në korrik për manipulim të tregjeve të aksioneve, duke iu shkaktuar dëm bankave prej miliarda dollarësh.

Të dy, Bankman-Fried dhe Hwang kanë hedhur poshtë akuzat.

“Kam besim se po largohem në një kohë kur zyra funksionon në një nivel tepër të lartë, duke tejkaluar standardin e saj tashmë të lartë të përpikmërisë, integritetit dhe pavarësisë”, tha Williams në një deklaratë.

Prokurori Williams gjithashtu ishte i përkushtuar ndaj luftës kundër korrupsionit publik. Në muajin korrik, ai siguroi dënimin e ish-senatorit demokrat të Nju Xhersit, Bob Menendez, me akuzat për mashtrim dhe veprim si agjent i huaj. Në shtator, ai ngriti akuza për ryshfet kundër kryetarit të bashkisë së Nju Jorkut Eric Adams, gjithashtu një demokrat.

Menendez është zotuar të apelojë vendimin dhe Kryebashkiaku Adams ka hedhur poshtë akuzat.

NJË MARRËDHËNIE E VËSHTIRË

Damian Williams, prokurori i parë afrikano amerikan në këtë qark, mori detyrën në fund të vitit 2021. Ai drejtoi grupin punues të letrave me vlerë dhe mallrave të qarkut të Nju Jorkut përpara se të emërohej në zyrën e prokurorit të Manhattanit nga Presidenti Joe Biden.

Duke dhënë dorëheqjen përpara se Presidenti Trump të marrë detyrën, Williams do të shmangë potencialisht fatin e një prej paraardhësve të tij, Preet Bharara, i cili u shkarkua nga posti i Prokurorit në fillim të vitit 2017, menjëherë pasi Trump u bë president.

Bharara, i emëruar në pozicionin e tij nga Presidenti demokrat Barack Obama në vitin 2009, ka thënë se Presidenti Trump fillimisht i kërkoi të qëndronte në detyrë.

Presidenti Trump kishte një marrëdhënie të vështirë me pasardhësin e prokurorit Bharara, Geoffrey Berman, zyra e të cilit siguroi një pranim fajësie nga ish-avokati i zotit Trump, Michael Cohen. Prokurori Berman gjithashtu paditi dy bashkëpunëtorë të ish-kryebashkiakut të qytetit të Nju Jorkut, Rudy Giuliani. Zyra e zotit Williams mbylli njërin hetim ndaj Giuliani, pa ngritur akuza.

Prokurori Berman shkroi në librin e tij të kujtimeve të vitit 2022 se administrata e Presidentit Trump u përpoq t’i bënte trysni për të ngritur akuza penale ndaj kundërshtarëve politikë.

“Gjatë gjithë mandatit tim si prokuror, Departamenti i Drejtësisë i Trump vazhdoi të kërkonte që unë të përdorja zyrën time për t’i ndihmuar politikisht dhe unë vazhdimisht refuzoja”, shkroi Berman.

Gjatë fushatës zgjedhore presidenciale të këtij viti, Trump u zotua të përdorë Departamentin e Drejtësisë për të ndjekur armiqtë e tij politikë. Ekspertët ligjorë thanë se kjo mund të minojë paanshmërinë e prokurorëve të karrierës dhe të thyejnë normat e pavarësisë së prokurorisë.

Prokurori Damian Williams vlerësoi avokatët e karrierës së zyrës së tij si “patriotë” dhe tha se ata vepruan me pavarësi.

“Ata janë kujdestarë të denjë të traditës së kësaj zyre për të bërë gjënë e duhur, në mënyrën e duhur, për arsyet e duhura”, tha ai në deklaratë.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

4,500FansLike
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit