Kremlini ka marrë në mbrojtje “kukullën” e Vladimir Putinit në Ballkan, Aleksandër Vuçiç, pas kritikave të ashpra që erdhën në drejtim të tij nga Bashkimi Europian, për një vizitë të planifikuar në Rusi më 9 maj.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, kritikoi Komisionin Evropian (KE) për presionin e ushtruar ndaj Presidentit serb, teksa e quajti unionin autoritar.
“A e braktisi Komisioni Evropian demokracinë? Nëse demokracia respektohet si parim, atëherë duhet të respektohen edhe rezultatet e vullnetit të popullit dhe jo të drejtohemi te diktatura”, shkroi Zakharova në kanalin e saj në Telegram.
Sipas Kremlinit, metoda të tilla presioni i ngjajnë veprimeve të mafies, shantazhuesve dhe “qelizave terroriste”.
“Çfarë janë këto “njolla të zeza” që Perëndimi shpërndan në formën e paralajmërimeve të caktuara? Kështu vepruan piratët, mafia, shantazhistët dhe kriminelët“, shkroi më tej ajo.
Zakharova theksoi gjithashtu se një qëndrim i tillë ndaj anëtarëve potencialë të BE-së tregon qasjet e vërteta të Brukselit dhe shprehu frikë për fatin e shteteve që do të jenë plotësisht të varura nga huliganët e euros.
Kujtojmë se më herët gjatë ditës, përfaqësuesi i KE-së, Guillaume Mercier, tha se udhëtimi i Vuçiçit në Moskë mund të ketë pasoja negative për pranimin e vendit në Bashkimin Evropian (BE). Mercier shtoi se komisionerja e zgjerimit e KE-së, Marta Kos, i shpjegoi Vuçiçit pasojat e vizitës së tij në Moskë.
Më 16 prill, Vuçiç njoftoi se po përballej me presion të madh për shkak të vendimit të tij për të udhëtuar në Rusi për Ditën e Fitores, por nuk do ta anulonte vizitën. Ai shtoi se kishte rënë dakord të udhëtonte në Moskë sepse serbët ishin krenarë për pjesëmarrjen e tyre në fitoren ndaj nazizmit.
Vlen të theksohet se që nga nisja e luftës në Ukrainë, Vuçiç ka refuzuar të pozicionohet kundër Rusisë, teksa nuk ka vendosur asnjë sanksion ndaj Moskës dhe nuk ka dënuar agresionin rus. Prej kohësh Vuçiç ka mbajtur lojën me dy porta mes perëndimit e Moskës dhe kjo gjë i ka rezultuar e suksesshme deri më tani.
Nga ana tjetër, BE-ja provoi një strategji “soft” ndaj Beogradit duke tentuar që ta tërheqë drejt vetes, por kjo është shfrytëzuar nga ana e Vuçiçit për të vijuar i pa shqetësuar lojën e tij me dy porta.