Kremlini tha të enjten se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka bërë komente “të papranueshme” për udhëheqës të tjerë botërorë, pasi Zelensky e akuzoi presidentin amerikan, Donald Trump, se po jeton në një “fluskë dezinformimi”.
Zelensky gjithashtu e cilësoi si të pavërtetë pretendimin e Trumpit se presidenti ukrainas gjoja gëzon vetëm 4 për qind mbështetje në mesin e popullit ukrainas, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Kur u pyet për komentet e Zelenskyt, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, të enjten para gazetarëve tha: “Retorika e Zelenskyt dhe e shumë përfaqësuesve të regjimit të Kievit lë shumë për të dëshiruar. Fakti që përkrahja për Zelenskyn është duke rënë është një trend absolutisht i qartë.”
Peskovi tha se nuk dëshiron hyjë në hollësi me shifra, kur bëhet fjalë për popullaritetin e Zelenskyt, i cili, sipas sondazheve, qëndron në nivelin mbi 50 për qind.
“Shpesh, përfaqësues të regjimit ukrainas, sidomos në muajt e fundit, e lejojnë veten që të thonë gjëra absolutisht të papranueshme për krerët e shteteve të tjera. Natyrisht, për shumë krerë shtetesh për të cilët bëhen deklaratat e tilla, kjo është absolutisht e papranueshme” – tha më tej zëdhënësi i Kremlinit.
“Ne shohim që ka dallime të caktuara mes Uashingtonit e Kievit” – shtoi ai, duke e akuzuar Ukrainën për shpenzim të parave të taksapaguesve të huaj në mënyrë të pakontrolluar dhe se po u reziston përpjekjeve për t’u mbajtur përgjegjëse për fondet e shpenzuara në të kaluarën.