Kreu i PDK’së, Memli Krasniqi, pas dështimit të seancës së 12-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, tha se VV po abuzon me të drejtën kushtetuese dhe po e mban peng formimin e institucioneve, duke fajësuar drejtpërdrejt qasjen e kësaj partie.
“Pra po e shihni që po vazhdon abuzimi i të drejtës kushtetuese. Lëvizja Vetëvendosje e ka marrë shtetin peng dhe po e mban konstituimin e institucioneve peng. Ky është një degradim… ky është edhe dhunim i verdiktit të qytetarëve të Kosovës”, u shpreh Krasniqi.
Ai sërish ka kërkuar nga VV që të tërheqë kandidaturën e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, duke thënë qartë se ajo do të dështojë sa herë të hidhet në votim.
Ndërkohë, sa i përket propozimit të LDK’së për të dalë nga bllokada, Krasniqi bëri të ditur se do ta diskutojnë brenda ditës.