Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka deklaruar se do të hyjë në koalicion të ardhshëm vetëm nëse Albin Kurti mbetet kryeministër.
Ai tha se partneriteti mes tij dhe Kurtit është shumë i fortë dhe i bazuar në një bashkëpunim të mirë që ka vazhduar që nga viti 2019, kur ai ishte pjesë e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (VV).
“Po, në bashkëpunim me kryeministrin Kurti do të jem pjesë e koalicionit të ardhshëm qeveritar dhe tashmë është shumë mirë i definuar ky partneritet i yni që fillon nga viti 2019. Kështu që gjithçka është parimore dhe është e bazuar në këtë mirëbesim të krijuar në këto katër vite si ministër, s’ka asnjë dyshim që do të jem pjesë e koalicionit të ardhshëm qeveritar dhe do të jem vetëm pjesë e një koalicioni ku kryeministër është Kurti”, tha Krasniqi.
Përsa i përket mundësisë për të krijuar koalicion me partitë e tjera, Krasniqi theksoi se nuk mund të flasë në emër të minoriteteve jo-serbe, por shtoi se diskutimet me kolegët e tij që janë aktualisht në qeveri tregojnë një vullnet të fortë për të mbështetur një Qeveri Kurti 3, e cila pritet të formohet shumë shpejt.
“Nga diskutimet që kam edhe me kolegë të tjerë që janë në qeveri, partnerë të kësaj qeverie, vullneti i gjithë tyre është që të jenë pjesë e Qeverisë Kurti 3, e cila do të jetë në ardhje shumë shpejt”, shtoi ai.