spot_img
Saturday, March 15, 2025
spot_img

KQZ shpall rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, në të cilin prin Lëvizja Vetëvendosje (LVV) me mbi 390.000 vota apo 42.30 për qind.

E dyta ka dalë Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me mbi 190.000 vota, apo 20.95 për qind, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me mbi 170.000 mijë vota, apo 18.27 për qind.

Në vendin e katërt është koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nismës Social-demokrate me mbi 66.000 vota apo 7.06 për qind.

Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – ka siguruar mbi 39.000 vota apo 4.26 për qind.

Me këto përqindje, LVV-ja i ka siguruar 48 ulëse në Kuvendin e Kosovës, PDK-ja, 24 sosh, LDK, 20 vende, Lista Serbe nëntë vende dhe koalicioni AAK-Nisma, tetë vende.

Të drejtë vote në këtë proces zgjedhor kanë pasur mbi 2 milionë shtetas të Kosovës, ndërsa pjesëmarrja ka qenë 46.54 për qind.

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) Kreshnik Radoniqi, ka thënë se me Ligjin e ri për Zgjedhjet, subjektet politike mund të ankohen në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) lidhur me këtë rezultat përfundimtar deri në 48 orë nga shpallja e tij.

PZAP-ja, më pas, duhet të marrë vendim brenda 96 orëve nga parashtrimi i ankesës.

Radoniqi ka garantuar se në asnjë moment nuk është cenuar integriteti i votës, ani pse ka pasur vonesa në numërim të votave.

Ai i ka arsyetuar vonesat duke thënë se votat janë numëruar për herë të parë siç e parasheh ligji i ri, që do të thotë se fillimisht janë numëruar votat për subjektet politike, më pas janë numëruar votat për kandidatët për deputetë në 38 qendra të numërimit, bashkë me verifikim të votave për subjekte politike.

Si tjetër arsye për vonesë, ai e ka përmendur edhe platformën elektronike, e cila sipas tij nuk ka funksionuar si duhet, andaj zyrtarët janë detyruar të verifikojnë edhe manualisht çdo shifër, para futjes së rezultateve në sistem.

“Rezultat kanë ndjekur hapat e paraparë sipas Ligjit për zgjedhje dhe janë numëruar në transparencë të plotë”, ka thënë ai, duke u zotuar se KQZ-ja do të organizojë panele të brendshme për të kuptuar ku ka ngecur puna dhe për t’i shmangur problemet eventuale në proceset e ardhshme zgjedhore.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

4,500FansLike
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit