KOSTT ka realizuar me sukses një sërë projektesh strategjike që përfaqësojnë një siguri të furnizimit me energji elektrike të konsumatorëve në disa zona të vendit. Energjizimi i Nënstacionit të ri në Fushë Kosovë, Energjizimi i Nënstacionit Ferizaj 3 (Kastriot) dhe ri-energjizimi i Nënstacionit Prishtina 3, janë investime që kanë transformuar ndjeshëm sigurinë e furnizimit, stabilitetit dhe cilësinë e rrjetit energjetik në vend.
Nënstacioni i ri në Fushë Kosovë, me teknologjinë moderne GIS (Gas Insulated Switchgear) dhe një investim prej 6.4 milionë euro, ka përmirësuar ndjeshëm kapacitetet transmetuese dhe transformuese të rrjetit, duke siguruar furnizim të qëndrueshëm për rajonin dhe zonat përreth.
Nënstacioni Prishtina 3, i rindërtuar dhe ri-energjizuar pas avarisë së prillit 2024, siguron furnizim stabil dhe cilësor për mijëra qytetarë dhe institucione në Kryeqytet.
Investimi në Nënstacionin Ferizaj 3, me vlerë 6.8 milionë euro, garanton furnizim të qëndrueshëm për mbi 12,000 konsumatorë, redukton mbingarkesat dhe humbjet teknike në rrjet, shkarkon ngarkesat në NS Bibaj, duke përmirësuar ndjeshëm cilësinë e shërbimeve në Komunën e Ferizajt, Kaçanikut, Shtërpcës si dhe Qendrës e Skijimit Brezovica. Gjithashtu bënë uljen e energjisë së padërguar deri në 780 MWh/vit dhe reduktim i emetimeve të CO2 me 4.95 kiloton/vit.
Falë realizimit të këtyre projekteve, furnizimi me energji elektrike është i pandërprerë, duke shmangur reduktimet dhe duke garantuar një nivel të lartë stabiliteti për konsumatorët. Mijëra qytetarë dhe biznese përfitojnë nga një furnizim më i sigurt dhe më cilësor me energji elektrike, ndërsa rrjeti energjetik i Kosovës forcohet për të përmbushur kërkesat në rritje të së ardhmes.
Këto projekte reflektojnë përkushtimin e KOSTT për të ndërtuar një infrastrukturë moderne dhe të qëndrueshme, që mbështet zhvillimin ekonomik dhe përmirëson jetën e qytetarëve në të gjithë vendin.
KOSTT mbetet i angazhuar për të siguruar furnizim të pandërprerë dhe efikas me energji elektrike, duke kontribuar në një të ardhme më të qëndrueshme për Republikën e Kosovës.