Kombëtarja e Kosovës ka realizuar fitoren e parë në kampanjën e re të Ligës së Kombeve.
‘Dardanët’ janë kundërpërgjigjur mjaft mirë pas humbjes në ndeshjen e parë tre ditë më parë në “Fadil Vokrri” ndaj Rumanisë.
Duke e harruar humbjen 3-0, kombëtarja dardane ka shënuar një fitore të thellë 4-0 ndaj Qipros, ani pse kishte disa mungesa kyçe për këtë duel.
Vedat Muriqi hapi llogarinë e ndeshjes, duke i realizuar dy golat e parë (9′ dhe 22′), ku me këto dy gola u mbyll 45-minushi i parë.
Në pjesën e dytë, Muriqi u zëvendësua për t’ia dhënë ‘stafetën’ Albion Rrahmanit, i cili me tu futur në fillim të pjesës së dytë, realizoi vetëm pas tre minutave, duke shënuar në të 48-tën pas një asisti nga Milot Rashica.
E i katërti erdhi nga qendërmbrojtësi Lumbardh Dellova i cili shënoi një gol të bukur në minutën e 55-të.
Kosova e dominoi totalisht edhe pjesën e mbetur të ndeshjes, duke pasur edhe raste të tjera shënimi, por në fund u mbyll me një ‘poker’ dhe fitore të madhe.
Kosova tani renditet e dyta në grup pas kësaj fitore, aq sa ka edhe Rumania e para por me një ndeshje më pak të zhvilluar, dhe Qipro e treta.