Presidenti serb Aleksandër Vuçiç nuk i ndahet makthit të tij më të madh, Kosovës. Edhe nga Odesa, ku po mbahet Samiti Ukrainë – Evropë Juglindore, ai nuk humbi rastin të provokojë, duke e kthyer vëmendjen nga agresioni rus dhe solidariteti ndërkombëtar, në një tentativë të ulët për të fituar politikisht me mungesën e përfaqësuesve të Prishtinës.
I entuziazmuar në deklaratat për mediat serbe, Vuçiç e quajti “gjest të madh” faktin që Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky nuk kishte ftuar përfaqësues nga Kosova në samit.
“E falënderova për respektimin e Kartës së OKB-së dhe të integritetit territorial të Serbisë”, u shpreh ai, duke tentuar ta shesë mungesën e Kosovës si një fitore diplomatike për Beogradin.
Në fakt, deklaratat e Vuçiçit konfirmojnë se Kosova është dhe mbetet kompleksi i pandarë i Beogradit zyrtar, të cilin ai përpiqet ta përdorë për konsum të brendshëm, sa herë që gjendet në skenë ndërkombëtare.
Të flasësh për integritet territorial në një samit ku diskutohet mbrojtja e Ukrainës nga agresioni i Putinit, ndërkohë që vetë ke refuzuar njohjen e shtetit fqinj dhe nxit destabilitet në Ballkan, është një formë hipokrizie klasike e politikës së Vuçiçit.