- I dërguari i BE-së për dialogun Prishtinë-Beograd, Peter Sorensen, ditë më parë ka qëndruar për vizitë në Kosovë, ku është takuar me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe liderët e opozitës.
Sorensen deklaroi se prioriteti i tij është sigurimi i takimeve mes palëve, ndërsa kompromiset mbeten në duart e Kosovës dhe Serbisë.
Nga ana tjetër, Osmani dhe Kurti kërkuan heqjen e masave kufizuese nga BE-ja, duke i cilësuar si të padrejta dhe të dëmshme për qytetarët e Kosovës dhe balancin e dialogut.
Analisti politik, Sadri Ramabaja, në një prononcim ka thënë se Sorensen duke parë dialogun mes dy vendeve, ai gjykon me të drejtë se do të ishte me sukses nëse ai përgjithësisht rifillon. Derisa, për kompromiset, si diplomat me përvojë, tha se kompromiset u takojnë dy palëve.
“I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, është pjesë e një ekipi të ri të BE-së që pretendon ta shpjerë përpara procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë me idenë që ai të përmbyllet më shpejt. Si realist që duket se është, i vetëdijshëm se në ç’ pozitë është sjellë dialogu nga pararendësit e tij, gjykon me të drejtë se do të ishte me sukses nëse ai përgjithësisht rifillon. Zoti Peter Sorensen në takimin me gazetar është shtrënguar të përgjigjet edhe në pyetjen banale të një kolegut tuaj gazetar analfabet në fushën e politikës ose provokator i llojit të vet, për gjoja kompromisin e pritshëm në këtë proces dialogu. Sidoqoftë, si politika e diplomat me përvojë, ai dha përgjigjen meritore, duke dëshmuar se si ndërmjetësues dhe lehtësues i dialogut, ai nuk ka të bëjë me kompromiset e mundshme në dialog. Prandaj ai deklaron se “kompromisi u takon palëve”. Ky ishte leksioni i parë që zoti Sorensen i dha mediave tona në Prishtinë. Kosova ka bërë kompromisin e madh historik: Ka pranuar të aplikojë të drejtën e vet për vetëvendosje duke hequr dorë, për hir të paqes dhe natyrisht edhe të interesave strategjike të partnerëve tanë, nga e drejta për bashkim me pjesën tjetër të Shqipërisë – Shqipërinë politike”, thotë ai.
“Republika e Kosovës tashti bën jetën e shtetit të pavarur e sovran, duke qenë Republikë demokratike dhe progresive. Duke qenë e tillë, ajo ka gjeneruar vlera politike që garantojnë Kartën Europiane për Qeverisje Lokale dhe të drejtat e minoriteteve, duke u bërë shembull në këtë plan në nivel botëror. Këto të drejta janë mishëruar edhe në Kushtetutën e Republikës dhe në jetën praktike të qytetarëve tanë, rrjedhimisht edhe të pakicës serbe”.
Tutje, ai shton se emisari Sorensen do të insistojë të vazhdohet me realizimin e asaj marrëveshjeje, meqë është e qartë se atë e ka sabotuar në vazhdimësi Beogradi, duke qenë se mbetet i interesuar të aneksojë veriun e Kosovës.
“Le të kujtojmë faktin se Karta e Qeverisjes Lokale e miratuar nga Këshilli i Evropës siguron parimet bazë të autonomisë lokale, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt edhe në të drejtat e minoriteteve. Ajo kërkon nga shtetet anëtare që:
Të garantojnë autonominë vendore në vendimmarrje.
Të mbështesin dhe promovojnë pjesëmarrjen e komuniteteve lokale në qeverisjen vendore.
Të respektojnë diversitetin kulturor dhe gjuhësor të minoriteteve.
Të Drejtat e Minoriteteve në Nivel Lokal Në nivel praktik,
Kosova aplikon si asnjë shtet tjetër këtë paragraf; Ky aplikim i kësaj game të të drejtave të minoriteteve konform Kartës Evropiane për Qeverisjen Lokale përfshin: Përdorimin e gjuhëve minoritare – Institucionet lokale duhet të ofrojnë shërbime administrative në gjuhët e minoriteteve. Pjesëmarrjen në vendimmarrje – Përfaqësuesit e minoriteteve duhet të përfshihen në këshillat bashkiake dhe institucionet lokale. Zhvillimin e kulturës dhe identitetit – Promovimi i arsimit dhe mediave në gjuhët minoritare. Mbrojtjen nga diskriminimi – Zbatimi i ligjeve që parandalojnë diskriminimin në nivel lokal. Këtë gamë të të drejtave gëzon minoriteti serb si asnjë minoritet tjetër gjetkë. Marrëveshja e Brukselit [2023] dhe aneksi i saj i tumirur në Ohër janë krejtësisht në përputhje me këtë Kartë të të Drejtave Evropianë për Qeverisje Lokale.
Zoti Peter Sorensen, shih për këtë, do të insistojë të vazhdohet me realizimin e asaj marrëveshjeje, meqë është e qartë se atë e ka sabotuar në vazhdimësi Beogradi, duke qenë se mbetet i interesuar të aneksojë veriun e Kosovës.
Nuk ka se si shpjegohet ndryshe akti i agresionit të 23 shtatorit 2023 dhe ai që u përsërit një vit më pas në Kanalin e ujësjellësit të Ibër-Lepencit”, përfundon ai.