Partia Demokratike e Kosovës po qëndron në pozicionin e saj fillestar lidhur me votimin e kandidates së Vetëvendosjes për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Deputeti i kësaj partie, Ferat Shala, tha sot në një konferencë për media se qëndrimi i tyre është i pandryshueshëm dhe se vendimi për të mos e votuar Haxhiun, s’ka asnjë lëvizje.
“Kryetari Krasniqi çdo të dytën ditë pas seancave ka dhënë qëndrim dhe nuk ka asnjë lëvizje pas qëndrimeve që ka dhënë ai dhe jemi në vazhdim e sipër për të përcjellë dhe monitoruar situatën sepse juridikisht ne jemi për të marrë dhe menaxhuar pjesën që na garanton nga Kushtetuta”, u shpreh Shala.
I pyetur për letrën e dërguar nga lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, në drejtim të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Shala tha shkurt se “s’komenton letra që i janë dedikuar një subjekti tjetër, dhe që nuk hyn në atë temë”.
Deputeti theksoi se partia e tij ka bërë të qarta arsyet e saj për refuzimin e Haxhiut dhe nuk sheh arsye që të ketë ndryshim qëndrimi në këtë drejtim.
“Ne kemi konsistencë në këtë dhe i kemi dhënë arsyet pse s’e votojmë dhe këtu s’ka asnjë ndryshim dhe s’besoj që do të ketë ndryshim nga kryetari i PDK-së”, përfundoi ai.
Këto deklarata vijnë në një kohë kur përpjekjet për konstituimin e Kuvendit të ri kanë dështuar për të njëmbëdhjetën herë me radhë, ndërsa seanca e radhës pritet të mbahet nesër.