Kryetari në detyrë i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, po merr pjesë në punimet e Samitit Botëror në Seul, Kore e Jugut, i organizuar nga Universal Peace Federation.
Ky samit ka si aktivitet kryesor themelimin e “Konferencës Ndërparlamentare të Kryetarëve të Kuvendeve”, një mekanizëm i rëndësishëm ndërkombëtar që ka për qëllim forcimin e bashkëpunimit dhe dialogut ndërmjet liderëve të parlamenteve të botës.
Kosova, së bashku me shumë parlamente nga e gjithë bota, është bërë bashkëthemeluese e kësaj Konference, duke e bërë këtë ngjarje një moment të rëndësishëm për vendin dhe për diplomacinë parlamentare globale.
Sipas njoftimit nga Kuvendi i Kosovës, Konferenca do të shërbejë si një platformë e nivelit të lartë për forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar, duke avancuar parimet e ndërvarshmërisë dhe prosperitetit të përbashkët. Po ashtu, kjo konferencë synon përhapjen e vlerave të përbashkëta përmes diplomacisë parlamentare, duke kontribuar në rendin dhe paqen botërore.
Konjufca mori pjesë gjithashtu në disa panele diskutimi, ku paraqiti pikëpamjet dhe këndvështrimin e Kosovës për sfidat që po ndikojnë në ndryshimin e rendit botëror.