spot_img
Saturday, December 28, 2024
spot_img

“Komunikata e 59’të”, Fadil Geci për Ramë Bujën: Më tha kam hangër plumb pse ju kam mbrojtë juve

Dëshmitari Fadil Geci po vazhdon dëshminë edhe të martën në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ku tha se kur ka biseduar me Ramë Bujën lidhur me komunikatën e 59-të, ai i ka thënë që ka marrë plumb pse i ka mbrojtur vëllezërit Geci.

“Më ka thanë që kemi bisedu në Shtab aty. Ai e di atë, por thotë që kam pas pasoja edhe unë pse kam folë për ju, bile më thotë se unë kam hangër plumb pse ju kam mbrojtë juve e ju keni pas të drejtë edhe ju mirë na e keni ba se keni pas të drejtë. Ju kam thanë mani e nuk më kanë ngu, le ta bajnë me shnet e le të mbajnë përgjegjësinë”, tha Geci, duke shuar se Ramë Buja personalisht ia ka thënë këto fjalë.

Ndërsa, për deklaratën lidhur me shkruesin e komunikatës 59-të, dëshmitari tha se i qëndron prapa, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Mesazhi është i qartë: ai shqiptar që na ka njoftë mirë kush jem na e e ka shkru komunikatën 59, mundet me kanë tulifar nacie tjetër, por jo shqiptar. Mundet me e kontrollu me thanë që jam shqiptar, po në zemër e në gjak nuk mundet me kanë shqiptar. Këtë e kam thënë dhe është e vërtetë”, tha Geci.

Dëshmitari Geci u pyet edhe për Sabit Gecin, të cilin për ZPS-në e kishte quajtur bashkëfshatar dhe se sipas tij kanë qenë së bashku me një klasë.

“Unë mund të gaboj, por Sabiti ka qenë në burg për një aksident në komunikacion e që është dalë prej burgu më 1997, është kyç”, u shpreh Geci.

Musli Gecin dhe Hetim Gecin, dëshmitari tha se i njeh shumë mirë dhe për këtë të fundit ai tha se është dajë i Adem Jasharit.

Më pas, dëshmitarit iu prezantuan disa fotografi të cilat mbanin numra për secilin që ishte aty e që iu kërkua identifikim nga ana e tij.

“I njoh. Disa 2-3. Numri 5 është Rexhep Selimi. Numër 3, Sylejman Selimi dhe numër 2, ‘Kapuçi’ një hero i Kosovës. Po më del prej menje por na me këtë nofkë e kemi njohur të gjithë, komandant Kapuçin”, tha dëshmitari për njërën nga fotografitë.

Ai tha se Komandant Kapuçi është vrarë duke luftuar me armikun, prandaj edhe është hero dhe sipas tij të gjallët është vështirë sipas tij të jenë heronj.

Më pas, dëshmitarit iu prezantua një fotografi e dytë, e që tha se në numër 3 ishte Rexhep Selimi, ndërsa sipas tij me numër 2 mundet të jetë Abedin Rexha.

Geci tha se nuk e di se ku është realizuar fotografia, por që Rexhep Selimi i cili është i pranishëm në sallë, mund ta dijë më mirë.

Edhe në një fotografi të tretë, Geci tha se është Rexhep Selimi e që mundet me qenë edhe Abedin Rexha, por që sipas tij nuk është i sigurt.

Ndërsa, në fotografinë e katërt, dëshmitari identifikoi dy vëllezërit Jashari (Sahit dhe Musë Jasharin), ndërsa për personat tjerë ai tha se nuk po i njeh.

Në prova materiale, u pranuan të gjitha fotografitë që iu prezantuan dëshmitarit.

Me kaq përfunduan pyetjet e Prokurorisë për këtë dëshmitar, për të vazhduar më pas me mbrojtjen e Hashim Thaçit, përmes avokatit Luka Mishetiq.

Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, ZPS ka dorzuar një parashtrim ku ka kërkuar që t’i ndryshojë listën e provave dhe të fus tri prova të tjera që do t’i përdorë me dëshmitarin 04758 dhe gjithashtu ftoi trupin gjykues që të përdorte një kalendar të përshpejtuar.

Mbrojtja e viktimave nuk pati kundërshtime lidhur me këtë. Ndërsa, avokati i Veselit, Rodney Dixon tha se ju duhet që ta shikojnë dokumentin në mënyrë që t’i paraqesin parashtrimet e tyre.

Gjyqtatri Smith urdhëroi që një gjë të tillë të bëhet pas pushimit të orës 11:00 dhe si rrjedhojë palët do t’i paraqesin parashtrimet e tyre.

Në këtë seancë, të gjithë të akuzuarit janë prezent në sallën e gjyqit.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

4,500FansLike
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit