Ndonëse nuk erdhi në Kosovë, Emmanuel Macron, president i Francës, dërgoi disa mesazhe edhe për Kosovën dhe dialogun në Bruksel gjatë vizitës në Serbi. Ndërsa Manuel Sarrazin, i dërguar i Qeverisë së Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, ishte në Kosovë, duke shpalosur disa qëndrime të shtetit gjerman në lidhje me dialogun, Urën e Ibrit e tema të tjera.
Të dy, edhe Macron, edhe Sarrazin, vlerësuan nevojën e dialogut dhe kompromisit. Para se të mbërrinte në Serbi, Macron e dërgoi një letër zyrtare, ku theksohej se rruga drejt normalizimit të raporteve me Kosovën e ruan “mundësinë që serbër të jetojnë në Kosovë”.
“Rruga drejt normalizimit ruan thelbin, mundësinë që serbët të jetojnë në Kosovë duke respektuar ligjin, por duke mos hequr dorë nga identiteti i tyre. Më 2019, kur unë fola për çështjen e Kosovës, fola për guximin e nevojshëm për të arritur një kompromis. I bindur që ky guxim ekziston në Serbi, ne, së bashku me Gjermaninë dhe me partnerët tanë evropianë, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, deshëm që ta ndihmonim rajonin për t’i shmangur lëvizjet e njëanshme, deklaratat e pamatura, ngritjen e tensioneve, viktima kryesore të të cilave janë njerëzit që jetojnë në terren, sidomos pakica serbe në Kosovë.” – tha Macroni.
Në një deklarim pas takimit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, Macron tha se “do të vazhdojë të monitorojë” kushtet në të cilat jetonë komuniteti serb në Kosovë. E pastaj, Macroni foli për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
“Ne thamë me partnerët tanë evropianë se sa të shqetësuar jemi për lëvizjet e njëanshme të Kosovës që nuk dërgojnë një sinjal të mirë. Sigurohuni që Franca do të vazhdojë të monitorojë kushtet në të cilat jeton komuniteti serb në Kosovë. Në këtë kuptim, ne jemi veçanërisht të përkushtuar për formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe” – tha Macron.
Tutje, Macron shtoi se ka nevojë për kompromis.
“Nuk do të zgjidhet pa kompromis nga të dyja palët dhe në përputhje me rrethanat, nëse s’ka guxim politik për të arritur një zgjidhje”, deklaroi mbrëmë presidenti Macron në konferencën e përbashkët me presidentin serb Vuçiq.
Edhe Sarrazini foli për nevojën e kompromisit dhe lëshimit nga ana e palëve.
“Erdha sot në Prishtinë dhe javën e ardhshme do të udhëtoj në të gjithë rajonin për të përgatitur rezultatet konkrete për qytetarët e Ballkanit Perëndimor, për të ecur përpara në rrugën e duhur. Por për këtë duhen kompromisi dhe ndonjëherë edhe gatishmëria për lëshime, për të rënë dakord për marrëveshje politike, të cilat nuk janë të lehta për Serbinë, dhe nuk janë të lehta as për Kosovën”, ka thënë Sarrazin.
“Ne duam të bëjmë një kapërcim ambicioz në tetor në Berlin” – tha Sarrazin, duke folur për samitin i cili mbahet në kryeqytetin gjerman më 14 tetor.
Sjellim ndër mend që për takimin me Sarrazinin është deklaruar edhe Qeveria dhe Presidenca e Kosovës. Sipas Zyrës së Kryeministrit, në takim është diskutuar për Procesin e Berlinit dhe për samitin e radhës.
“Kryeministri theksoi që në kohën kur në rajon shtyheshin platforma të tjera paralele, Kosova është angazhuar plotësisht në Procesin e Berlinit duke kërkuar ri-energjizimin dhe fuqizimin e tij si një platformë që ofron barazi dhe përshpejton procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian për vendet që duan të anëtarësohen.” –thuhej në njoftim.