Me asnjë parti në gjendje për të qeverisur e vetme, opsionet për koalicione në Kosovë janë ende të pasigurta. Votat e diasporës – që në përfaqësitë diplomatike kanë nisur të numërohen më 26 shkurt – mund ta kenë çelësin. Për t’u numëruar kanë mbetur edhe votat me kusht dhe ato të personave me nevoja të veçanta.
Dy javë e gjysmë pas zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, nuk ka asnjë ide të sigurt se si do të duken institucionet e reja të vendit.
Në prapaskenë mund të zhvillohen bisedime e të bëhen përllogaritje, por në publik flitet pak.
Kryeministri aktual, Albin Kurti, tha më 26 shkurt se i takon partisë së tij, Lëvizjes Vetëvendosje, që, “si fituese e qartë e zgjedhjeve”, t’i formojë institucionet e Kosovës.
Sipas rezultateve preliminare, kjo parti doli e para me rreth 40 për qind të votave, e pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me rreth 22 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës me rreth 17 për qind dhe koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – Nisma me rreth 7 për qind.
Këto shifra tregojnë se asnjëra parti nuk ka mjaftueshëm vota për të formuar shumicën në Kuvendin me 120 ulëse të Kosovës.
Për t’u numëruar kanë mbetur edhe votat e diasporës – që janë mbi 80.000 – ato me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta.
Kurti tha se pret që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, javën e ardhshme, të dalë me rezultatet përfundimtare për subjektet politike.
“Të gjithë presim nga KQZ-ja edhe më shumë angazhim për përfundimin e procesit të numërimit dhe kujdes të shtuar në mbrojtjen e vullnetit të votuesve”, tha ai.