Saturday, March 29, 2025
spot_img

Klani Mustafa – Fatal për LDK-në

(Ik, Lumir, nga LDK-ja sa nuk të ka zënë ferri!)

Shkruan Binak Maxharraj

Zgjedhjet parlamentare në Kosovë u mbajtën më 9 shkurt të këtij viti. Fillimisht, për këto zgjedhje u bë një zhurmë e madhe dëshirash nga ana e partive politike. U zhvillua një fushatë jo mjaft dinjitoze, e mbushur me fyerje, ofendime, sharje dhe shumë zhurmë. Gjuha ofenduese gjatë kësaj fushate ishte e padinjitetshme, gjë që u kritikua në opinionin e gjerë dhe nga komentuesit që e përcillnin këtë fushatë.

Megjithatë, pavarësisht marifeteve të partive politike, fushata parazgjedhore ishte e qetë, pa ndonjë problem të theksuar. Secila parti përplasej me veten se do të fitonte zgjedhjet, secila mundohej të bindte votuesit se do të dilte e para. Dhe kjo është krejt normale, fontanë dëshirash. Por, sipas rezultateve paraprake, këto dëshira nuk u realizuan për asnjë parti, pasi rezultatet ishin larg pritshmërive të tyre.

Zgjedhjet parlamentare sipas rezultateve paraprake treguan këto rezultate: KQZ deklaroi se këto zgjedhje i fitoi bindshëm LVV me 341.672 vota ose 40,84%. Në vendin e dytë doli PDK me 184.040 vota ose 22,15%, ndërsa LDK e treta me 146.241 vota ose 17,59%. AAK (me koalicionin e saj) doli e katërta me vetëm 62.000 vota ose 7,47%. Siç po shihet, renditja e partive nuk ndryshon aspak nga zgjedhjet e vitit 2021.

Kësaj radhe dua të ndalem veçanërisht te rezultati i LDK-së, pasi lideri i saj, Abdixhiku, trumbetoi fuqishëm se do të ishte partia e parë dhe se kjo parti do ta formonte qeverinë me Abdixhikun si kryeministër. Por, kështu nuk mendoi sovrani. LDK mori 147.827 vota ose 17,67%, pra vetëm 37.800 vota më shumë se në vitin 2021, kur kishte fituar 110.000 vota ose 12,73%.

Në konferencën e fundit, lideri i kësaj partie nuk i quajti këto rezultate dështim, por “të mira për lakmi”, duke theksuar se kishte fituar më shumë vota sesa në zgjedhjet e vitit 2021. Mirëpo, ky rezultat është shumë larg pritshmërive të LDK-së, e cila trumbetonte se do të dilte e para. Gjatë fushatës elektorale, Abdixhiku premtoi se do të jepte dorëheqje nëse LDK nuk do të dilte mirë në zgjedhje.

Tani që LDK nuk doli mirë, ai i “hêngri” fjalët e tij, duke deklaruar se nuk do të japë dorëheqje. Kjo ngre pikëpyetje: a mos vallë kjo deklaratë ishte vetëm një truk për të frikësuar elektoratin se, pa Abdixhikun, LDK do të zhdukej? Megjithatë, opinioni dhe mediat po janë gjithnjë e më të zëshëm në kërkesat për dorëheqjen e tij. Liderët që japin premtime dhe pastaj i mohojnë ato, siç po bën tani Abdixhiku, e humbasin besimin e publikut.

Diçka nuk është në rregull me LDK-në që prej kur u rrëmbye nga klani i Isa Mustafës. Për katër vite në krye të LDK-së, ai e rrëzoi partinë në 12% në zgjedhjet e vitit 2021, duke dalë jashtë parimeve dhe qëndrimeve të anëtarësisë dhe elektoratit. Mustafa bashkëpunoi me PDK-në e Hashim Thaçit, i cili kishte për qëllim të poshtërnte LDK-në. Pikërisht këtu qëndron problemi kryesor i LDK-së, e cila nuk po mundet të marrë veten.

Pas vdekjes së Ibrahim Rugovës, LDK-në e zapuan individë të vonuar në parti, si Isa Mustafa dhe Lumir Abdixhiku, të cilët nuk bënë asgjë për ringritjen e LDK-së, por vetëm sa e shkatërruan atë. Mustafa e la si trashëgimtar Abdixhikun, i cili e largoi LDK-në nga rruga e Ibrahim Rugovës dhe e humbi akoma më shumë përkrahjen.

LDK ka nevojë për një reformë rrënjësore duke larguar të gjithë anëtarët e klanit të Isa Mustafës. Nuk mund të ketë reformim të vërtetë kur në LDK promovohen vetëm dy-tre individë. LDK duhet të ringrihet me figura të reja pro-rugoviane dhe jo duke pranuar individë që vijnë nga parti të tjera.

Pas rezultatit zhgënjyes në zgjedhjet e fundit parlamentare, LDK duhet të reflektojë fuqishëm. Këto ditë, zërave për dorëheqjen e Abdixhikut po u shtohet pesha. Largimi i tij duhet të jetë hapi i parë drejt reformimit të vërtetë të LDK-së.

Lumir, ik nga LDK sa nuk të kanë zënë stuhitë apo furtunat e anëtarësisë!

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit