Shkruan Kimete Berisha
1. Unë ulesha në rreshtin e mesëm, banka e parë. Isha në vitin e parë, gjimnaz.
– Një ditë, pa pritur e pa u kujtuar, të gjitha shoqet e shokët të ulur në rreshtin e mesëm me mua, u çuan një nga një, dhe u ulën në rreshtat e tjerë.
Mbeta krejtësisht vetëm.
– As nuk u mërzita, as nuk u frikësova, as nuk u hidhërova, thjesht nuk ndjeva asgjë, as vetminë.
– As nuk reagova, as nuk e ktheva kokën t’i shikoja, as s’më interesonte çfarë kishte ndodhur, çfarë i kishte gjetur, apo a i kisha motivuar.
– Kishim matematikë, me profesorin që ishte edhe Kujdestari i klasës.
– Mua më pëlqente matematika, ende fascinohem me të, sidomos me termin ‘problem i pazgjidhur’ në matematikë.
– Kur profesori hyri në klasë, ende pa u ulur, u ndal në mes të klasës, para rreshtit tim, dhe pa thënë mirëdita, tha: ‘Dëgjoni mirë çfarë po ju them: Ju krejt komplet, nuk vleni sa Kimete Berisha, vetëm’.
– Kaq mjaftoi, që ende pa u ulur profesori, shumë i prekur nga përjashtimi që më kishin bërë shoqëria, nisën një nga një të ulen në rreshtin tim.
– E para, u ngrit shoqja e bankës, që ishte një nxënëse e mirë, e pastaj të tjerët, rend.
– Kurrë nuk i kam pyetur, pse!
– Kurrë nuk më ka interesuar, pse!
– Kurrë nuk jam mërzitur në më do kush, apo s’më do.
Pse?
– Sepse as unë si doja.
Dashuria për mua ishte pak a shumë qesharake, si një lojë, siç është edhe sot.
2. Një përjashtim të njëjtë, të thellë, e kam përjetuar në absolventiadë, më duket u kam treguar pak.
– Ishte rrugë e largët për një student të robëruar, që të çohet nga Mitrovica e Veriut, t’i gjejë një palë sandale (fustanin e kisha, se nanën rrobaqepëse), e të marrë pjesë në një ndejë studentore,
për të festuar fundin e një fakulteti që as s’ia ke ditur lezetin e as s’të ka pëlqyer kurrë…
…edhe robëria, edhe varfëria,
edhe…të bëhesh poete në një shoqëri të prapambetur.
– Dhe, mezi mbërriva në Prishtinë.
Shoqëri s’kisha, nuk ndjehesha pjesë e asnjë grupi, si sot që s’ndjehem…por shkova.
– Të gjithë vallëzonin, njëri këndonte me kitarë…
– Kur u çova unë të vallëzoj, të gjithë pa përjashtim e ndërprenë vallëzimin dhe u ulën.
– Ishte pamje dramatike, por ndjenja ime s’ishte dramatike…
Vazhdova edhe pak dhe u tërhoqa nga vallëzimi sikur asgjë nuk ndodhi.
– As nuk më interesonte: Pse!
As çfarë motivi kishin…!
– As nuk i kam pyetur: Pse!
– Sepse, unë dua të di veç çfarë unë dua…
– Për shembull, qe 15-të vite mundohet ‘njëra’ të më tregojë se çfarë ka thënë ‘dikush’ për mua, dhe unë nuk pranoj të më tregoj.
– Nuk mund të më tregosh mua asgjë.
– Sepse thjesht s’më intereson!
3. Kanë ndodhur edhe raste të tjera të ekskomunikimit, në punë sidomos, edhe sot gjithmonë jam e fundit në e-maile, e fundit gjithkund…por më nuk i kam numëruar.
4. Ku të gjithë bëhen kundër teje…
të bëjnë ‘disidente’ pa qenë ti fare disidente.
– Dhe frymëzohesh, apo të duket vetja e veçantë, e dalluar…sepse ata të dallojnë…!
dhe pavarësohesh nga çdo ndjenjë, sidomos nga ndjenja më e sëmurë – dashuria.
– Se je i pavarur tek kur më nuk ke nevojë për dashuri…!
5. Me siguri edhe unë duhet te kem pasur faj, padyshim që po, ku me ditë nuk arrij ta fsheh cinizmin, apo atë ndjenjën që askush s’ma mbush mendjen, sidomos të palexuarit…
por faji im nuk shihet, prandaj nuk përshkruhet me fjalë.
– Faj kishin ata që u bën bashkë kundër nxënëses më të mirë, plus simpatike!
6. Pra, vetmia të kënaq.
– Vetmia është për shpirtin si ujë i bekuar që të pastron nga ndjenjat e teperta dhe nga nevoja për të tjerët.
– Në vetmi e sheh se asnjë dashuri nuk është e vërtetë.
– Dashuria është vetëm dëshirë…e parealizuar.
– Beso ose mos beso, e di ti më mirë se unë.
P.S. Albin Kurti është krijuar nga protestat, nga refuzimi kategorik, nga vetmia, nga ekskomunikimi, nga përjashtimi dhe nga izolimi.
– Prandaj, nuk i shkon të
lëshoj pé.
– Këtyre të tjerëve po, u shkon, sepse ata anipse e kanë akuzuar njëri-tjetrin edhe për vrasje, gjithmonë janë bërë bashkë për pare dhe për pushtet.
– Ekskomunikimi që sot ia bën opozita Albin Kurtit, e forcon Albin Kurtin.
Këtë ua garantoj.
– Se, është e pamoralshme dhe qesharake që opozita zgjedh emra, jo unë po dua këtë grua, jo këtë tjetrën për kryeparlamentare…
– Zgjedh Memli Krasniqi ‘gra’ të Vetëvendosjes thuajse ato janë në shitje.
– Opozita e duan një grua të butë.
– Gabim: Se, ato krejt janë të njëjta.
Të gjitha e bëjnë politikën e Albin Kurtit, dikush me zë, dikush pa zë.
– Për juve secila duhet të jetë njësoj. S’mund të jetë Albin Kurti ‘i keq’ e deputetet e tij ‘të mira’.
– Krejt meshkujt e opozitës kundër një gruaje…kjo ka filluar të duket e pamoralshme.
– S’është aq ‘e madhe’ Albulena Haxhiu që të gjithë të çohen kundër saj.
– Këta po e rrisin duke e mohuar.
– Po e rikrijojnë nga hiçi.
(Se ju tregova që unë jam ‘krijuar’ padashje, nga mohimi dhe refuzimi).
– Nuk është e moralshme…sepse meshkujt shqiptarë i refuzojnë gratë që s’mund t’i nënshtrojnë, që s’mund t’ua mbyllin gojën, dhe e tillë është Albulena Haxhiu!
– Jo rastësissht nuk e duan as Donika Gërvallën, sepse është e panënshtruar!
– Pra, Albulena Haxhiun po e refuzojnë veç që është ‘e ‘shtirë’, arrogante, e pathyer dhe krenare!
– Të ishte e urtë, Urë, do të kalonte.
Kështu nanat tona i edukojnë djemtë: – Nusja duhet të jetë fjalëpak, mundësisht e pagojë, e urtë dhe e butë.
– Jetojmë në një shoqëri primitive.
E vetmja mënyrë për të mbijetuar është: ose të bëhesh Urë, ose të mos mërzitesh çfarë mendojnë për ty.
– Veç nëse bëhesh Urë, të pranojnë, të duan, bëhesh pjesë e shoqërisë.
Nuk të duan nëse nuk mund të
të shkelin dhe të të kontrollojnë.
– Bile unë mendoj se emri i mesëm
i çdo gruaje shqiptare duhet të jetë ‘Urë’.
Kimete Ura Berisha!
…Nuk më shkon! Prandaj….
Shko përtej Diellit…dhe matanë!