- E veshur me të zeza, kokën mbuluar me shami zhezhet, përveç çorapet e bardha, nën këpucët e rrafshta, që, a ishin opinga, espadrilla apo balerina, nuk e di.
- Duke dalë nga vendvotimi, ajo zbrizte shkallët me aq zor të madh, sikur ishte duke iu ngjitur bjeshkës.
- U mërzita pak, sepse m’u dhimbtë që ajo ende shpreson.
- Shpresa nganjëherë më duket e dhimbshme, e nganjëherë – qesharake.
- Të isha më fat do të frymëzohesha nga gruaja me të zeza, por s’jam.
- Ajo ende pret të bëhet mirë për të, në Shqipëri, duke votuar për ata që ia kanë shkatërruar jetën.
- Secila ndërtesë e vendvotimeve ngjyrë pembe e çelur ose pembe e mbyllur, ngjyra të gëzuara, në një vend që ‘prodhon’ vetëm varfëri dhe lajme të rrejshme që e zbukurojnë trishtimin.
- Pak më larg saj, një grua tjetër e veshur me të bardha, Albana Vokshi, grindej me qytetarë, si e trentë.
- I ndihmonte një mashkull, Flamur quhej, i cili doli nga xhipi i zi, por nuk mjaftonte as ai, se qytetarët ishin ndezur fort.
- Në këtë rast isha në anën e qytetarëve, sepse kjo grua me të bardha nuk dukej si ajo gruaja me të zeza, duke zbritur shkallët, por kjo dukej se kishte zbritur përkohësisht në tokë për ta kërkuar fshesën që i ka rënë nga dora.
- Sali Berisha gjatë
votimit dukej i lumtur, edhe në jetën romantike.
- Edi Rama gjatë votimit dukej i lumtur, edhe në jetën romantike.
- E dikush s’ka probleme tokësore, as jetësore, por ka probleme me të padukshmen.
- Elvis Naçi publikisht e ka lutur Zotin ta ruaj nga mësyshi dhe nga syri i keq.
- Me këtë rast qesha. Shkrije edhe një plumb, se të hiqet mundimi…me kaull…
- Qesha sepse m’u duk lutje femërore dhe rinore.
- Ndoshta qesha gabim, prandaj ndoshta e kam zor të bëhem ‘rehat’, se qesh vend e pa vend.
- Se….Unë për vete lutem tinëz, me mend se merrni çfarë lutjesh dëgjoj unë, të atilla që nuk i kuptoj, asnjë fjalë nuk e di çfarë thonë, sepse nëse i kuptoj pastaj s’i marr seriozisht!
- Kur ndodhi pandemia, u pa që bën pa shumë institucione, pa shumë punëtorë, pa shumëçka.
- Bën të jetojmë thjeshtë, dhe sa më larg njëri-tjetrit, aq më qetë.
- Ajo që po ndodh në Kuvendin e Kosovës po tregon se bën edhe pa Kuvendin e Kosovës.
- Mos varet siguria në Kosovë nga ai Kuvend?
Jo.
- Cili Ligj u votua aty e që ia pa hairin qytetari?!
Asnjë!
- Memli Krasniqi përsëri kërkoi një ‘grua tjetër’ të Vetëvendosjes se Albulena s’i pëlqen shkaku se s’është e urtë, dhe tha se Albin Kurti po e mban peng Kuvendin e Kosovës!
- Nëse Albin Kurti po e mban peng Kuvendin, domethënë bën ta mbash pend Kuvendin, lejohet, se nëse s’lejohet s’do të mund ta mbante peng.
- Sendi më qesharak në Kuvendin e Kosovës, është flamuri kuq e zi përpara ulëses së Albulena Haxhiut.
Krejt Kosova e Serbia kundër Shqipërisë…
- Demek.
- E Vevëvendosja, me qirinj të kuq mbi tortë, ia uroi ditëlindjen Albulena Haxhiut, s’di a para apo pas seancës së Kuvendit.
- Edhe ky është lajm.
- Gjithçka duket se është çmendur…fytyra e sotme e LDK-së është ajo gropa para Katedrales, ku kanë rënë të gjithë, në kërkim të pandufkës së mbretreshës Teutë, e cila po ashtu e mbyti veten për të mos u dërëzuar!
- Kushdo që ka qenë i mirë për shqiptarët, ka dështuar.
Qe, Luigj Gurakuqin e vrau djali i tezës së tij…qe Isa Boletini…qe, Shote Galica që vdiq urie…e varrin ia kanë mbuluar ferrat.
- Unë kam qejf që përsëri të fitojë Edi Rama.
- Sepse, veç Edi Rama ua tregon qejfin dhe vendin shqiptarëve.
- Ky u tregon se janë ‘askushi’, ata e votojnë, derisa ta bindin që janë ‘dikushi’.
- Ishte kënaqësi duke e dëgjuar në Opinion kah i mohon gazetarët, dhe duke i parë gazetarët duke u munduar me mish e me shpirt ta bindin se ‘ekzistojnë’.
- ‘Lojërat mendore’ të Edi Ramës më pëlqejnë, anipse janë të posht’ra, si ato dramat që i shikon me qejf anipse janë të dhimbshme!
- Dhe në fund, duke dalë nga studio e Opinionit, u tha të vetëve, ja jemi duke dalë nga ‘këneta e Fevziut’.
- Pra, në trurin e tij nuk ndodh asnjë shtirje, i fiton zgjedhjet njeriu që sillet sikur s’ka nevojë për asnjëri, dhe askujt nuk mundohet t’i hyjë në qejf.
P.S. Çka të bëjmë pra? Asgjë. Duaje veten, e pastaj nëse të tepron dashuria, që s’besoj, shpërndaje.
- Dikur të burgosurit lexonin ose shkruanin libra, tash një i burgosur, Salianji, i ka mbjellur flokët në burg.
- Ky quhet burg estetik.