Sa herë del në media, Florin Krasniqi, ish-deputet i VV-së, bën deklarata të forta kundër ish-partisë së tij, të cilën edhe e kishte financuar për një kohë. Biznesmeni shqiptaro-amerikan, i njohur si “Pullazxhiu i UÇK-së” për shkak të financimit të UÇK-së, dje rrëfeu për një histori goxha simptomatike. Çfarë tha Krasniqi?
Gjatë emisionit “Pressing” Krasniqi foli për tendencën kontrolluese të VV-së dhe luftës së saj për të mbajtur pushtetin me çdo kusht. Madje, Krasniqi pretendoi se gjatë pushtetit të VV-së, ish-partisë për të cilën edhe ishte rrahur me PDK-në, është tentuar t’i mbyllet një hidrocentral.
Krasniqi ka pasur cilësime të ashpra ndaj VV-së, duke i quajtur “palaço” e të “pafytyrë”. Tutje, Krasniqi ka treguar se inspektorët ishin te hidrocentrali.
“Unë e kam rreziku jetën tem me i mbrojtë këta palaço. A e di çfarë kanë bërë Baton? Kanë ardhur, kanë marrë vendim me ma ndal hidrocentralin, që është ndërtu të ’32…E mbaj hapur me vendim gjyqi, sepse i kanë çu inspektorët me ma mshel, e keqja nuk ka kufi. Unë jam kap, jemi rreh me PDK-në, nuk ma kanë mshel hidrocentralin, as biznesin. Jena rreh, jena sha, jena fy, nuk më kanë ataku personalisht. Këta palaço, këta të pafytyrë kanë ardhur me ma mshel hidrocentralin që është maru në vitin 1932, me ma mshel pa leje.” – tha mbrëmë Krasniqi, ish-deputeti i zëshëm i VV-së.
Krasniqi tregoi se hidrocentrali tash punon për shkak të një vendimi gjyqësor.
“Jam shku shku në gjyq, kam marr letër prej gjykatësit mos me ardh ma te unë. Kurrë nuk e kisha thanë këtë, sepse është çështje personale, pak e ulët. Por këta nuk kanë kufi për me mbajtë pushtetin, kurgjo në botë nuk lajnë pa bo për me mbajtë pushtetin” – tha Krasniqi.
Në këtë emision, Krasniqi foli edhe për mundësinë që VV-ja të ketë krijuar një strukturë paralele brenda Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë. Krasniqi ka vlerësuar se nëse një gjë e tillë ka ndodhur, atëherë “rreziku kombëtar është më i madh se që ne mundemi me paramendu”.
“Nëse Vetëvendosja ka arritur me ndërtu strukturë paralele brenda AKI-së, rreziku kombëtar është më i madh se na mundemi me paramendu. Nuk guxon me ndodh, për atë është me ligj që kryetari i komisionit për mbikëqyrjen e AKI-së të jetë nga opozita” – ka deklaruar Krasniqi.
Tutje, Krasniqi ka folur edhe për temën e vendosjen së GPS-it në veturën e gazetari dhe analistit, Vehbi Kajtazi. Sipas Krasniqit, nëse kjo pajisje gjurmuese është vendosur pa lejen e gjyqtarit, “atëherë është akt kriminal”.
“Nëse është vendosur pajisja pa lejen e gjyqtarit atëherë është akt kriminal, njerëzit që e kanë vendosur duhet me u arrestu. Nëse është me leje të gjyqtarit atëherë gjyqtari duhet me dëshmu që Vehbiu ka përbër rrezik kombëtar. Unë nuk mendoj që Vehbiu e kërcënon Kosovën”, ka thënë Krasniqi.