Friday, July 18, 2025
spot_img

Kërkesa për heqjen e masave ndaj Kosovës – Çka u tha në takimet e Costas me Osmanin e Kurtin

Në vizitën e tij të parë pas marrjes së detyrës, presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka qëndruar në Kosovë, ku është takuar me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti. Në fokus të këtyre takimeve ishte procesi i integrimit evropian të Kosovës dhe masat kufizuese të vendosura nga Bashkimi Evropian.

Në këtë takim, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ritheksuar rëndësinë strategjike të zgjerimit të Bashkimit Evropian, duke e quajtur atë një projekt thelbësor për paqen dhe stabilitetin në kontinentin evropian.

Ajo ka vlerësuar vizionin e presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa, për këtë proces, duke theksuar se tashmë është më i nevojshëm se kurrë.

“Nevoja për hapa të guximshëm është jo thjesht një opsion, por domosdoshmëri. Është koha që kjo të reflektohet përtej fjalëve, por edhe me hapa konkretë”, deklaroi Osmani.

Në të njëjtën linjë, Presidentja kërkoi që Kosovës t’i hapet rruga drejt anëtarësimit në BE dhe u bëri thirrje shteteve anëtare për heqjen e masave ndëshkuese ndaj vendit.

“Shpresojmë që shtetet anëtare më në fund të pajtohen që të hiqen masat që po dëmtojnë qytetarët tanë. Çdo minutë më shumë me masat në fuqi, një fuqi larg jetësimit të ëndrrës europiane. Vonesë më shumë të zgjerimit. Është koha përfundimtare të trajtohet aplikimi me prioritet dhe të mandatohet edhe komisioni”, tha ajo.

Në anën tjetër, presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, theksoi se heqja e masave ndaj Kosovës është e lidhur drejtpërdrejt me shtensionimin e situatës në veri të vendit.

Ai shprehu shpresën që zhvillimet e fundit të mos jenë tregues i një prirjeje destabilizuese.

“Këto masa janë të lidhura me nevojën për të deskaluar tensionet në rajon dhe në veri të vendit. Dëshiroj që sa më shpejt të arrihet shtensionimi dhe të mund të ecim përpara drejt heqjes së këtyre masave”, u shpreh Costa gjatë konferencës për media me Osmanin në Prishtinë.

Ai theksoi se e ardhmja evropiane e Kosovës varet nga normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë dhe përkushtimi në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.

“Shpresoj që ngjarjet e fundit të mos përfaqësojnë prirje të re, por të jenë përjashtim që konfirmon se jeni të angazhuar për të shtensionuar situatën dhe për të ecur përpara në rrugën evropiane”, theksoi ai, duke shtuar se zgjerimi i BE-së është “investimi më i madh gjeopolitik” i Bashkimit Evropian.

Pas takimit me Presidenten Osmani, Costa zhvilloi edhe një takim me kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti. Ky i fundit kërkoi angazhim më të madh nga Bashkimi Evropian për avancimin e Kosovës drejt integrimit.

Sipas komunikatës së lëshuar nga Zyra e Kryeministrit, Kurti ka bërë thirrje për hapa konkretë në këtë drejtim, duke kujtuar se Kosova ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në BE që para gati dy vjetësh e gjysmë.

“Duke theksuar faktin që kanë kaluar gati dy vite e gjysmë që nga aplikimi i Republikës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, kryeministri kërkoi nga presidenti Costa rol aktiv për dërgimin e pyetësorit dhe dhënien e statusit të vendit kandidat”, thuhet në komunikatë.

Kurti po ashtu kërkoi heqjen e menjëhershme të masave kufizuese të vendosura nga BE ndaj Kosovës dhe ngriti shqetësime për qasjen e Serbisë në raport me rajonin.

“Kërcënimet për rajonin vijnë nga Serbia”, tha ai, duke kërkuar dorëzimin e Milan Radoiçiqit tek drejtësia e Kosovës.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit