Një kërcënim për bombë në diskotekën “Diamonds Club” në Ferizaj ka vënë në lëvizje Policinë e Kosovës.
Plot njësi policore kanë zbarkuar mëngjesin e sotëm në hapësirat e diskotekës dhe kanë kryer kontrollet mbi dyshimet për mjetin shpërthyes.
Siç merr vesh gazeta kërcënimi për bombë është dërguar në adresën e Policisë së Kosovës, ku është paralajmëruar se sulmi do të kryhet sonte, në performancën e artistëve Azet dhe Albi.
Të gjitha njësitë përkatëse, duke përfshirë njësinë K9 dhe EOD kanë intervenuar në orët e para të mëngjesit – teksa diskoteka u zbraz me urdhër të Policisë dhe vendi u rrethua me shirita.
Burimet kanë bërë me dije se pas kontrollit të kryer, nuk është gjetur asgjë e dyshimtë brenda diskotekës.
Lidhur me rastin, janë ndërmarrë veprimet e nevojshme teksa është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit.
Me urdhër të tij, është iniciuar hetimi për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm për t’u zbardhur të gjitha rrethanat e rastit.