Analistët sportive Faruk Statovci dhe Eroll Salihu janë përplasur ashpër mes vete, duke hedhur akuza dhe kundër-akuza në transmetim të drejtpërdrejt.
Statovci dhe Salihu në emisionin ‘Dueli Sportiv’ në RTV Dukagjini janë përplasur verbalisht lidhur me kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi.
Salihu tha se s’e kupton se si lejohet që Ademi të marrë vendime teksa është nën hetime, derisa në mbrojtje të parit të FFK’së i doli Statovci.
Kjo çoi në ofendime në mes dy panelistëve. Statovci tha se përgjatë kohës sa Salihu ishte sekretar i FFK’së i kishte marrë 4,500 euro dhe “s’iu kishte dëgjuar zëri”. Ndërkaq, Salihu tha se për këtë “trimëri” Statovci “kishte hangër rrehë”.
Pjesë nga përplasja:
Eroll Salihu: Farukut nuk i pëlqen po, ku guxon me marrë një vendim një kryetar i cili është nën aktakuza tash e 15 vite dhe aktualisht është nën kallëzim penal për mastrim të shtetit. Ku e lejojnë klubet tona apo të gjithë komuniteti sportiv një person i cili ka procese gjyqësore të pafundme, së bashku me avokatin e tij i cili dihet her ka qenë sekretar herë jo…
Faruk Statovci: Nuk ka çka më vjen mirë a keq, por këto çka i thu ti i ka dikush tjetër në dorë. Edhe njeri stacionin e Policisë e ka nja 10 metra larg. S’e ka më larg. Je shumë i gabueshëm.
Eroll Salihu: Ka kallëzim penal për mashtrim të shtetit, nëse nuk e din unë ta bij nesër para syve. Po folim për kryetarin e FFK’së, të cilin po e mbron…
Faruk Statovci: Unë për FFK’në foli në anën sportive, a është i akuzum a s’është është tjetërkush për këtë punë. S’ti marrin fjalët as për bazë ty se t’ka metë te dera qajo e njëjta qe një vit.
Eroll Salihu: Po m’doket një herë ke hangër rrehë për këtë trimni të madhe që po e bën.
Faruk Statovci: S’je ti që e rreh kërkënd o shoku jem. Me qito sene je met me u marrë. Sa je kanë aty s’ke folë hiç, t’ka ardhë mirë që i ke marrë 4,500 euro rrogë. Kurrë vallahi, kurrë hiç s’ke folë!