Nënkryetari i Listës Serbe, Dallibor Jevtiq, ka thënë sot se refuzimi i ankesës së Listës Serbe për vendimin për përbërjen e komisioneve zgjedhore nga Kolegji Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa “është vazhdimësi e gjithçkaje që kryeministri Albin Kurti po bën që Lista Serbe të përjashtohet nga procesi zgjedhor”.
“Refuzimi i ankesës nga Paneli Zgjedhor është vetëm vazhdimësi e gjithçkaje që po bën Albin Kurti për të përjashtuar maksimalisht Listën Serbe nga procesi dhe të gjitha procedurat dhe për të ndihmuar partinë e Nenad Rashiqit që të marrë më shumë mandate në ditën e zgjedhjeve, përmes vjedhjes së votave”, ka thënë Jevtiq për gazetën në shërbim të regjimit serb, Veçernje novosti.
Ai ka shtuar se beson se “Kurti nuk do të ndalet me kaq, sepse dëshiron në çdo mënyrë të ndryshojë vullnetin elektoral të serbëve në Kosovë”.
Dyshimi i parë që tregon për këto synime është vendimi i KQZ-së për të reduktuar numrin e anëtarëve të këshillit zgjedhor”, ka thënë Jevtiq.
Ai ka pretenduar se pas mbylljes së qendrave të votimit fillimisht numërohen votat për partitë dhe më pas fletët kthehen në kuti në mënyrë që kryetarët e komisioneve zgjedhore të shoqëruar nga policia t’i çojnë materialet në qendrat e numërimit dhe pikërisht për këtë edhe kryetarët janë shumë të rëndësishëm në këshillat zgjedhore, e çka gjithashtu i është mohuar Listës Serbe.
Jevtiq gjithashtu ka pretenduar se përbërja e komisioneve zgjedhore duhet të pasqyrojë strukturën e popullsisë dhe rezultatet e votimeve të mëparshme dhe ka përmendur “standardet e dyfishta” të KQZ-së, i cili e ka arsyetuar vendimin për numrin e pamjaftueshëm të anëtarëve të Listës Serbe në komisionet zgjedhore në veri të Kosovës me mospjesëmarrje të serbëve në zgjedhjet e mëparshme.
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka refuzuar ankesën e Listës Serbe për vendimin e KQZ-së për përbërjen e komisioneve zgjedhore.