Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, ka folur sot para mediave pak para nisjes së seancës plenare në Kuvend, ku ka komentuar zhvillimet e fundit politike dhe ngërçin institucional në vend.
Ajo tha se LDK-ja mban qëndrim të pandryshuar sa i përket mënyrës se si duhet të tejkalohet kriza politike, duke kritikuar partinë në pushtet për paaftësinë për të krijuar shumicë parlamentare pas zgjedhjeve.
“Qëndrimi ynë është i njëjtë sa i përket mënyrës se si duhet të dilet nga ky ngërç politik. Partia në pushtet ka dalë e para në zgjedhje, por nuk po arrin të formojë shumicën parlamentare. Gjatë katër viteve të qeverisjes, ajo ka dhënë një shembull të keq të bashkëpunimit politik. Diskursi i saj ka qenë jo i duhur për një subjekt serioz politik, dhe tash është koha të mësojë nga gabimet,” u shpreh Lushaku-Sadriu.
Ajo shtoi se LDK-ja mbetet e hapur për dialog dhe do t’i përgjigjet çdo ftese që synon zhbllokimin e kësaj situate të tensionuar.
“Propozimi i LDK-së është i qartë dhe i qëndrueshëm,” përfundoi ajo.