Molla e sherrit mes presidentit Donald Trump dhe homologut ukrainas, Volodymyr Zelensky, duket se ka qenë zëvendëspresidenti, JD Vance.
Vance hyri në atë që kryesisht ishte një diskutim i përzemërt midis Presidentit Donald Trump dhe Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, gjë që shkaktoi një përshkallëzim dramatik të takimit të liderëve duke nxitur atë që mund të rezultojë në një ndryshim të madh në marrëdhëniet SHBA-Ukrainë.
Në më shumë se 40 minuta pas takimit, Vance foli për të lavdëruar Trump dhe kundër administratës Biden, duke e shtyrë Zelensky të ofrojë një mësim historie të agresionit të Rusisë në Ukrainë dhe të shpjegojë bazën e mosbesimit të tij ndaj Presidentit Vladimir Putin.
“Për çfarë lloj diplomacie, JD, po flisni?”, e pyeti Zelensky.
“Unë po flas për llojin e diplomacisë që do t’i japë fund shkatërrimit të vendit tuaj”, tha Vance, duke drejtuar vazhdimisht gishtin nga Zelensky teksa fliste.
Zëvendëspresidenti filloi të sulmojë liderin ukrainas.
“Z. President, me respekt, mendoj se është mungesë respekti që ju të vini në Zyrën Ovale për të tentuar ta diskutoni këtë para mediave amerikane… Ju duhet të falënderoni presidentin për përpjekjen për t’i dhënë fund këtij konflikti”, tha ai.
Vance vazhdoi duke ngritur zërin: “A mendoni se është respekt të vini në Zyrën Ovale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të sulmoni administratën që po përpiqet të parandalojë shkatërrimin e vendit tuaj?”
Zelensky u përgjigj, duke paralajmëruar liderët amerikanë për problemet që mund të arrijnë në brigjet e SHBA si rezultat i luftës së Rusisë në Ukrainë. Pas atij momenti Trump shpërtheu.
Dhe Vance e kritikoi më tej Zelenskyn, duke thënë: “A keni thënë ‘faleminderit’ një herë në të gjithë takimin? Në të gjithë takimin, a keni thënë ‘faleminderit’? … Ofroni disa fjalë vlerësimi për Shtetet e Bashkuara të Amerikës – dhe presidentin që po përpiqet të shpëtojë vendin tuaj.”