Izraeli, Irani dhe bomba atomike: dy histori krejtësisht të ndryshme, që me kohën u ndërthurën në një nyje kërcënimesh për Lindjen e Mesme dhe sot ndodhen në qendër të kronikave të luftës.
Izraeli ndërtoi programin e tij bërthamor në fshehtësi të plotë me ndihmën e Francës që nga fillimi i viteve ’50, me idenë që ai të shërbente për të shmangur përgjithmonë rrezikun e një “Holokausti të dytë”.
David Ben Gurion dhe themeluesit e tjerë të shtetit e pagëzuan atë si një formë të pengesës absolute – arma e të gjitha armëve, që nuk do t’i linte asnjë shans armikut.
Ishte Shimon Peres, ende shumë i ri, që negocioi me Parisin protokollet sekrete të Sèvres në vitin 1958, të paraprira dy vite më herët nga aleanca izraelito-franko-britanike gjatë luftës së dështuar për Kanalin e Suezit kundër Naserit.
Këto negociata çuan në ndërtimin e reaktorit në Dimona, në bunkerët nëntokësorë të shkretëtirës së Negevit verior. Uashingtoni ishte plotësisht kundër. Presidenti Dwight D. Eisenhower detyroi Izraelin të tërhiqej nga Sinai dhe Gaza, të pushtuara më 1956, pasi nuk donte aventura që do të rrezikonin ekuilibrin e Luftës së Ftohtë me Moskën dhe sidomos ishte kundër përhapjes bërthamore.
Shërbimet amerikane zbuluan projektin Dimona vetëm në fillim të viteve ’60 dhe u përpoqën ta ndalonin, duke dërguar inspektorë të Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA). Vetëm në vitin 1965 arritën të fusnin një ekip, por deri atëherë instalimet ishin kamufluar dhe inspektimi dështoi.
Çështja mbeti për shumë kohë burim tensioni në marrëdhëniet Washington-Jeruzalem. Vetëm administrata Nixon e pranoi më pas me dhimbje realitetin e kryer. Ndërkohë, bomba atomike izraelite ishte tashmë një fakt.
Më 1967 besohet se dhjetëra raketa me koka bërthamore ishin gati për lëshim. Ka burime që thonë se gjatë Luftës Gjashtëditore u mendua seriozisht të shpërthehej një prej tyre në Sinai si paralajmërim për Egjiptin.
Gjatë Luftës së Yom Kippur-it në 1973, qeveria e Golda Meir urdhëroi hapjen e silove me raketa bërthamore në Dimona, gjë që e detyroi SHBA-në të niste një urë ajrore me armatime konvencionale për të ndalur ofensivën siriano-egjiptiane.
Ndërkohë, Irani pro-perëndimor nën regjimin e Shahut Reza Pahlavi nisi më vonë programin bërthamor dhe në mënyrë të hapur, nën mbikëqyrjen e Uashingtonit, si pjesë e iniciativës “Atome për Paqe” për kërkime shkencore. Në fillim të viteve ’70-të u planifikua ndërtimi i rreth 20 centraleve për prodhimin e energjisë civile. Në atë kohë, Izraeli dhe Irani ishin aleatë kundër botës arabe.
Gjithçka ndryshoi me revolucionin islamik të Khomeinit në vitin 1979. Marrja peng e diplomatëve amerikanë në ambasadën e Teheranit dhe retorika antisioniste ndryshuan krejt situatën. Nga ai moment, frika për një bombë bërthamore në duart e islamistëve shiitë u bë një shqetësim për Izraelin, SHBA-në dhe vendet sunite, veçanërisht Arabinë Saudite. Khamenei, pasardhësi i Khomeinit, ka përsëritur shpesh nevojën për “fshirjen e Izraelit”.
Destabiliteti që solli revolucioni iranian nxori në pah mungesën e rregullave të përbashkëta. Izraeli kurrë nuk e ka pranuar zyrtarisht se ka armë bërthamore, dhe nuk ka nënshkruar Traktatin për Mos-Përhapjen Bërthamore (NPT), ndërsa Irani e ka nënshkruar, por pas 1979 nuk e njeh më. Kjo ambiguitet ka krijuar kushtet për një përhapje të pakontrolluar.
Irani mori ndihmë sekrete nga Pakistani dhe Koreja e Veriut. IAEA ka pasur gjithmonë kufizime në Iran, por vazhdoi të operojë. Më 2002, opozita iraniane në mërgim zbuloi bazën sekrete të pasurimit të uraniumit në Natanz. Khamenei nxori një fetva që ndalonte armët bërthamore si “anti-islame”, por Izraeli dhe SHBA nuk i besuan.
Gjatë presidencës së Ahmadinejad, programi bërthamor u kthye në simbol të krenarisë kombëtare. Më 2006 ai deklaroi zyrtarisht se Irani kishte nisur pasurimin e uraniumit. Konflikti me IAEA u thellua. Raportet ishin alarmante.
Më 2015, Obama dhe partnerët evropianë arritën një marrëveshje historike për kufizimin e programit bërthamor iranian, që u zbatua deri më 2018 kur Trump, pas zbulimit nga Mossad i një arkive sekrete bërthamore në Teheran, e anuloi marrëveshjen dhe riktheu sanksionet. Kjo radikalizoi më tej regjimin iranian, i cili në maj 2019 njoftoi se do ta rifillonte programin “pa kufizime”.
Ndërkaq, Mossad nisi një seri atentatesh ndaj shkencëtarëve iranianë, përfshirë vrasjen e Mohsen Fakhrizadeh më 2020. Në tetor 2023 IAEA deklaroi se rezervat e uraniumit iranian ishin rritur 22 herë krahasuar me vitin 2015 dhe inspektorët pengoheshin vazhdimisht. Megjithatë, nuk ka prova se Irani është afër ndërtimit të një bombe.
Sot, “Financial Times” ngre pikëpyetjen: “A ishte Irani me të vërtetë pranë bombës bërthamore?”, duke theksuar se që nga viti 2012 Netanyahu përpiqet të bindë botën për këtë rrezik.
Ironia më e madhe: para sulmit izraelit të fundit ndaj Iranit, Trump ishte pranë rivendosjes së marrëveshjes së vitit 2015. Netanyahu ndoshta e ndërmori sulmin pikërisht për ta penguar këtë zhvillim. Ndërsa në Teheran sot pyesin: “Pse Izraeli mund ta ketë bombën dhe ne jo?”
Në Izrael askush nuk flet publikisht për përdorimin e armës bërthamore, dhe deklarata e ministrit Amichai Eliyahu në nëntor për Gaza u refuzua menjëherë nga qeveria. Por vëzhguesit ndërkombëtarë besojnë se zhvillimet e fundit mund ta nxisin regjimin iranian të përshpejtojë projektin e tij atomik.