Kandidatja për deputete nga Nisma, Xhevahire Izmaku ka reaguar pas paralajmërimit se sot pritet të shkarkohet jashtëligjshëm kryetari i KPM-së, Jeton Mehmeti.
Izmaku, përmes një shkrimi në Facebook thotë se po shkelet një e drejtë kushtetuese dhe një parim themelor i demokracisë. Ajo kërkon mosndërhyrjen politike në institucionet e pavarura.
“Komisioni i Pavarur për Media (KPM), si një gardian i lirisë së mediave, po përballet me një ndërhyrje flagrante që cenon rëndë pavarësinë e tij. Paralajmërimi për shkarkimin e kryetarit të KPM-së, z. Jeton Mehmeti, në mënyrë të kundërligjshme dhe disa ditë para përfundimit të mandatit, është një goditje e drejtpërdrejtë ndaj integritetit institucional. Kjo procedurë, e motivuar politikisht, synon uzurpimin e pozitave kryesore në KPM për qëllime që nuk i shërbejnë interesit publik dhe rregullimit të drejtë të mediave”.
Sipas saj, ky zhvillim jo vetëm që shkel normat ligjore dhe etike, por edhe rrezikon rëndë lirinë e mediave – një e drejtë e garantuar kushtetuese.
“Manipulimi i tillë i institucioneve të pavarura është i papranueshëm dhe dëmton besimin e qytetarëve në demokraci dhe shtet ligjor”.
Ajo i bashkohet thirrjes për ndërprerjen e menjëhershme të kësaj procedure të padrejtë
“Ftoj Zyrën Ekzekutive të KPM-së që të mbrojë pavarësinë e institucionit dhe të kundërshtojë haptazi këtë ndërhyrje. Njëkohësisht, ftoj mediat dhe aktorët e shoqërisë civile që të mbikëqyrin me kujdes këtë proces dhe të dokumentojnë çdo përpjekje për të manipuluar funksionimin e KPM-së”.
Kjo ndërhyrje e rrezikshme do të ndikojë negativisht jo vetëm në vendimmarrjen brenda KPM-së, por edhe në përceptimin ndërkombëtar për lirinë e shprehjes dhe demokracinë në vendin tonë, pohon Izmaku.
“Prandaj, duhet të mbrojmë me vendosmëri integritetin e këtij institucioni dhe vlerat kushtetuese që ai përfaqëson”.