Shqipëria do të përballet nesër me Ukrainën në sfidën e fundit të vlefshme për grupin B1 të Ligës së Kombeve.
Para ndeshjes në stadiumin “Arena Kombëtare”, në konferencë për media ka folur kapiteni i “Kuqezinjëve”, Ardian Ismajli.
Ai vazhdon të besojë se Shqipëria mund të dalë e para në grup dhe se në ndeshjen e nesërme hyjnë për fitore.
“E dimë që tani është më vështirë, nuk varët vetëm nga ne por edhe nga rezultati i Çekisë. Ne do futemi vetëm për fitore, rrugë tjetër nuk ka. Shpresoj të kemi fat dhe ta mbyllim në vendin e parë”, ka thënë ai fillimisht në konferencë për media.
Ismajli foli edhe për kundërshtarin e tij të ardhshëm, sulmuesin ukrainas të Romës, Artem Dovbyk.
“Kundërshtar të lehtë nuk ka, sidomos në Serinë A të gjithë sulmuesit janë fizikë, të fortë, të shpejtë. E dimë kualitetin e Dobvik, por nuk është se kemi frikë. Në ndeshjet e fundit kemi bërë mirë, jashtëzakonisht mirë mbrojtja. Do analizojmë dhe shpresojmë të bëjmë më të mirën”, ka shtuar më tutje qendërmbrojtësi shqiptar.
Ndeshja Shqipëri – Ukrainë luhet nesër me fillim nga ora 20:45.
Shqipëria është në vendin e tretë me 7 pikë, aq sa ka edhe Gjeorgjia në vendin e dytë.
8 sosh i ka Çekia në vendin e parë, kurse e fundit në grup është Ukraina me pesë pikë.