spot_img
Tuesday, February 25, 2025
spot_img

Ishte mysliman/ Çka e shtyu Kastriotin nga Mitrovica të bëhej i krishterë pas 13 vitesh ateist?

Quhet Kastriot. I ka 32 vjet dhe jeton në Mitrovicë. Duket si një kosovar i rëndomtë që e takojmë kahmos nëpër rrugët e qyteteve tona. Ama s’është bash i tillë.

Sapo i ndërron dy llafe me Kastriotin e kupton se ka diçka që nuk shkon. Menjëherë të lë përshtypje të fortë natyra e tij erudite. E pastaj mbetesh i hutuar me fjalët e tij që i qet prej goje me një farë sinqeriteti që ta pështjell krejt. Është prej të paktëve që përnjëmend e mendon atë që e thotë. Një cilësi kjo e njerëzve që diturinë e ndërtojnë me dije prej interesave të njëmendta.

Kurioziteti, leximet dhe fisnikëria karakteristike janë në kontrast të plotë me paperspektivën që e ofron Kosova. Me krejt banalitetet që na rrethojnë.

Për me ma pështjell edhe më zi, Kastrioti së fundi vendosi të konvertohej në të krishterë. Mu pështjell sepse ai ishte një ateist i vendosur. Një avokues pasionant i Darvinizmit dhe perspektivës evolucionuare thua se në cilindo debat.

Bisedova me të për me kuptu një këndvështrim autentik prej dikujt që jeton mes nesh.

1. Jetë e thjeshtë, lexime të pathjeshta

Fillimisht, e pyeta se çka e dallonte Mitrovicën prej qyteteve tjera të Kosovës përveç – ndoshta – pritjes së gjatë për me ble pereca.

“…Mitrovica është qytet i varfër dhe me mundësi shumë të vogla. Besoj se fakti që është qyteti me numrin më të madh të njerëzve me asistencë sociale flet vetë,” – më tha.

Kastrioti jeton vetëm në një banesë me qira, të cilën e paguan me rrogën që merr nga puna në një portal lokal. Por, duket i kënaqur me atë që ka derisa shprehet se aktiviteti që e shijonte më së shumti, ishte edhe ai që e bënte më së shpeshti: leximi.

“Të ardhurat mujore momentale nga rroga më mjaftojnë për një jetë normale (së paku në standardet e mia të një jete normale) por që do të ishin të pamjaftueshme sikur të kisha familje. Dhe të krijoj familje është nga synimet kryesore.”

2. Krishterimi

Më pas, natyrisht, e pyeta në lidhje me konvertimin e tij në krishterim. Çka e bindi për ta bërë një gjë të tillë?

““Do të thoja këtë. Qe kur kam qenë i vogël jam tërhequr nga pyetjet filozofike e teologjike që lidhen me kuptimin e jetës. Kjo më ka shtyer të interesohem për fenë.” – ia nisi përgjigjes Kastrioti.

“Në fillim isha besimtar muhamedan. Ndër vite fillova të kaloj në dyshime të caktuara të cilat pak vite para se ta humbja besimin kulmuan në krizë të besimit fetar. Në moshën 20 vjeçare humba besimin. Isha ateist për gati 13 vite. Këto katër vitet e fundit fillova të ndjej zbrazëtinë e këtij botëkuptimi, ose më saktësisht botëkuptimit natyralist. Edhe për arsye se ka implikime serioze të frikshme mbi justifikimin e moralit. Pra, në këtë botëkuptim morali esencialisht është relativist dhe vetëm preferencë personale. Në këtë botëkuptim, morali në kuptimin e gjerë të fjalës duke qenë produkt i një procesi të verbër evolutiv do të mund të ishte krejt tjetër sikur evolucioni të kishte ndjekur kurs tjetër. Kjo nënkupton se gjykimi ynë, ta zëmë, mbi gjenocidin është thjesht aversion personal e nuk ka bazë objektive ku ti mund të thuash “gjenocidi është i pamoralshëm dhe pikë”. Pra në këtë botëkuptim gjykimi ynë për gjenocidin nuk dallon asgjë nga shijet e ndryshme për ushqimin. Kjo më kujton një shkëmbim në mes të biologut evolucionar të famshëm, Richard Dawkins, dhe Justin Brierley, për implikimet e evolucionit natyralist mbi të kuptuarit tonë të natyrës së moralit, kur ky i fundit e pyet nëse “ultimativisht besimi yt se përdhunimi seksual është gabim është po aq arbitrar sa fakti që kemi evoluuar pesë gishta e jo gjashtë”, dhe Dawkins ia kthen duke i thënë: “Mund të thuhet, po”!

Megjithatë, në fillim isha rezistent ndaj idesë së pranimit të besimit sepse nisesha nga parimi se e vërteta është ajo që ka rëndësi dhe zbrazëtia e botëkuptimit nuk është dëshmi automatike për Zotin e për vërtetësinë e ndonjë feje. Por ndenja e peshës së zbrazëtisë se botëkuptimit ishte zhvillim domethënës sepse më shtyu të nis të hulumtoj. Më vonë erdha në përfundimin se në fakt natyralizmi në esencë e bën të menduarit tonë jo të mbështetshëm në të sepse evolucionit natyralist s’i intereson për të vërtetën dhe për të zhvilluar aftësi kognitive që na sigurojnë se mund ta penetrojmë realitetin objektiv por vetëm aftësi të dobishme të mjaftueshme sa për të mbijetuar. Kjo ka implikime serioze dhe për shkencën ngase shkenca bazohet në presupozimin metafizik se natyra funksionon sipas një rregulli e rendi, se sjellja e materies është e parashilueshme dhe që mendja njerëzore mund ta kuptojë këtë rend dhe rregull. Kjo e ka tmerruar dhe Darwinin i cili në një shkëmbim letrash me William Graham shprehet: “Por pastaj në mua, gjithmonë ngjallet dyshimi i frikshëm nëse mendimet e mendjes njerëzore, që është zhvilluar nga mendja e kafshëve më pak të zhvilluara, kanë ndonjë vlerë ose janë të besueshme fare. A do t’u besonte dikush mendimeve të mendjes së një majmuni, nëse ka ndonjë mendim në një mendje të tillë?”

Argumenti është më kompleks por kjo është forma bazike e tij.

Gjithashtu jam ndikuar nga filozofia aristoteliane-tomise sidomos në raport me argumentat për ekzistencën e Zotit. Ajo që është interesante është se shpie në përfundimin logjikisht të pashmangshëm se kjo Qenie është një. Gjatë kësaj kohe u binda se nëse ka ndonjë fe nga këto fetë monoteiste e cila mund të jetë e vërtetë, është vetëm Krishtërimi. Kështu, pas një kohe rrëmihje në filozofinë e fesë, teologji e histori të Krishtërimit me kohën rikuperova besimin në Zot e pak më vonë pas një reflektimi vendosa ta pranoj Krishtërimin.

Sa i përket reagimit nga të afërmit, jam fatlum që kam të afërm të cilët edhe pse mund të mos pajtohen me bindjet e mia kjo nuk reflektohet në raportet tona të shëndosha”.

E pyeta edhe në lidhje me Lëvizjen e Deçanit, e cila mori goxha shumë vëmendje mediatike vitin e fundit. I thashë se ma merrte mendja që ajo ishte ndoshta një farë reaksioni i çuditshëm e i përveçëm për shoqërinë tonë ndaj rritjes së ekstremit të djathtë nëpër Evropë ku islamofobia ishte e përhapur.

Qe çka më tha:

 “Kam përshtypjen se po abuzohet me termin “Islamofobi”. Në Perëndim ka njerëz që janë të prirur t’i fusin të gjithë muhamdanët brenda një vlerësimi negativ dhe kjo është e gabuar. Por shumë nga ajo që konsiderohet Islamofobi në të vërtetë është reaksion ndaj doktrinës Islamiste, komponenta më problematike e të cilës është ajo teokratike. Njerëzve thjesht u ka ardhur në maje të hundës arroganca urrejtëse ku u thuhet se bota e krishterë do t’i nënshtrohet Muhamedanizmit e se shteti duhet të qeveriset me sheriat. Për më tepër, kjo paraqet vazhdimësi të qasjes armiqësore që ka nisur nga koha e ngjizjes së vetë Muhamedanizmit, kur pasuesit e themeluesit të tij relacionin me botën e krishterë e nisën me gllabërime me luftë të territoreve të botës së krishterë e me nënshtrim të popujve të saj. E di që historia nuk duhet të kuptohet në terma bardh e zi dhe jam i vetëdijshëm se bota arabe ato kohë ka dhënë kontribut të çmuar në shkencë e filozofi. Por qasja ndaj botës së krishterë që nga fillimi ka qenë armiqësore. Kjo qasje është vazhduar pastaj dhe nga Perandoria Otomane. Gjithsesi jo të gjithë muhamedanët janë Islamistë.

Sa i përket Lëvizjes së Deçanit, më brengos motivi i tyre për t’u konvertuar. Në besimin e krishterë motivi i vetëm për konvertim duhet të jetë besimi se Krishti është e Vërteta dhe ky motiv s’guxon të kontaminohet nga konsiderata të tjera. Kam dëgjuar se madje ka nga ata që konvertohen të cilët në fakt s’besojnë por e bëjnë për arsye nacionaliste. Kjo është e papranueshme: është sakrilegj në radhë të parë e pastaj dhe ofendim, patronizim e instrumentalizim i besimit të krishterë. Duhet të kenë më shumë respekt ndaj kësaj feje”.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

4,500FansLike
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit