Inspektorati Policor i Kosovës i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e një togeri policor, respektivisht Komandantit të Stacionit Policor të Skenderajt, pasi siç thuhet në njoftim të IPK-së, ai dyshohet që së bashku me disa zyrtarë të tjerë policorë kanë shkuar për ngushëllime te familja e Faton Hajrizit, ish i burgosur, i cili u vra në Serbi nga policia atje, pasi akuzohej për vrasjen e një polici serb.
Ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Hajrullah Tërnava, vlerësoi se bëhet njollosja e krejt institucioneve kur shkojnë në të pame te familja e Hajrizit në këto rrethana.
“Kur kolegët e tyre janë invalidë, dikush ka vdekur edhe prej atyre plagosjeve që ai ka marr pjesë. Prandaj është e pakuptimtë. Polici si polic, edhe pa uniformë, nuk duhet të shkojë te një vepërkryes që është recidivist, që i ka bërë shumë vepra penale, ka plagosur policë”, deklaroi Tërnava.
“Fatoni ka ikur nëntë herë nga burgjet, atëherë shtrohet pyetja se ndoshta dikush nga policia i ka ndihmuar për të ikur nga burgjet. Ministria e Drejtësisë është dashur të kërkojë përgjegjësi prej drejtorëve të burgut dhe rojtarëve që kanë qenë kujdestarë. Edhe ministrja Haxhiu, edhe drejtori i burgut edhe rojtaret e burgut është dashur të japin përgjegjësi”, përfundoi Tërnava.