spot_img
spot_img
Wednesday, January 22, 2025
spot_img
spot_img

Injorojnë kërkesën e ndërkombëtarëve – normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë s’e përmend asnjëri kandidat

Kërkesë e vazhdueshme nga aleatët ndërkombëtarë, por, mesa duket, jo mjaftueshëm popullore për të joshur votues. Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë nuk është top-zotim i asnjërit kandidat për kryeministër të Kosovës.

Në shtatë ditët e para të fushatës zgjedhore, të katërtit prej tyre – Albin Kurti i Vetëvendosjes në pushtet, Bedri Hamza i PDK-së, Lumir Abdixhiku i LDK-së dhe Ramush Haradinaj i AAK-së – energjitë i kanë përqendruar ekskluzivisht te politika e brendshme… dhe akuzat për njëri-tjetrin.

Me çmime të rritura, pagë mesatare 570 euro, papunësi mbi 10%, premtimet që fokusohen në përmirësimin e kushteve të jetesës, duket se depërtojnë më lehtë në mendjet e votuesve, por ata janë të vetëdijshëm se edhe dialogu, herët a vonë, është i pashmangshëm.

spot_img

Dialogu, përkatësisht normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është edhe kushti që komuniteti ndërkombëtar i ka vënë Kosovës për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian dhe në organizata të tjera ndërkombëtare, qoftë NATO-ja, Këshilli i Evropës e kështu me radhë.

Kosova është e vetmja në Ballkanin Perëndimor që nuk e ka statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.

Partitë e të katërve kanë udhëhequr qeverinë në periudha të ndryshme kur Kosova ka nënshkruar ose bërë marrëveshje me Serbinë, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Shumë prej këtyre marrëveshjeve, ende sot, nuk zbatohen prej asnjërës palë dhe tensionet mes tyre mbeten të larta.

Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është ndër pikat më të nxehta në kontestin e saj me Serbinë.

Dy vendet kanë arritur marrëveshjen e parë për të në vitin 2013, kur në pushtet në Kosovë ka qenë PDK-ja me kryeministrin Hashim Thaçi, ndërsa, dy vjet më vonë, kur pushteti është udhëhequr nga LDK-ja me Isa Mustafën, është arritur edhe një marrëveshje tjetër për parimet e atij asociacioni.

Marrëveshja nuk është zbatuar kurrë, nga frika e autoriteteve të Kosovës se do të mund të ndikonte keq në funksionalitetin e brendshëm të shtetit. Janë hartuar, ndërkohë, drafte për statutin e Asociacionit, janë dhënë garanci për të nga komuniteti ndërkombëtar, është bërë trysni, por pa sukses.

Kryeministri aktual, Albin Kurti, nuk është takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nga shtatori i vitit 2023. Ai nuk i është përgjigjur asnjë ftese të BE-së për takim, pasi po atë muaj ka ndodhur sulmi i armatosur në Banjskë të Zveçanit dhe Kurti ka kërkuar vazhdimisht nga Serbia – të cilën e ka bërë përgjegjëse – t’i dorëzojë fillimisht autorët e sulmit.

Kandidatët për kryeministër të Kosovës kanë kohë deri në ditën e zgjedhjeve më 9 shkurt për t’i bindur votuesit se kanë një vizion të qartë dhe efektiv për të ardhmen e tyre.

Pastaj, lista e tyre me gjërat “për t’u bërë” edhe mund të riorganizohet.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

4,500FansLike
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit