spot_img
Friday, June 13, 2025
spot_img

ILUZIONI I TË QENIT LIDER DHE BABA I KOMBIT..!

Shkruan: Rexhep ELEZAJ

Se, shqiptarët si popull dhe si komb, liderizmin dhe ambicien për të qenë i pari i kombit, përkatësisht mbret i shqiptarëve, këto dy veti i kanë të mbjella thellë në gjenet e tyre etnike, dhe se lidhur me këtë fakt nuk ka asnjë dilemë dhe as mëdyshje, ngase për t’u bërë lider i kombit shqiptarët këtë ambicie kanë dëshmuar në praktikë, duke filluar nga mbreti Ahmet Zogu, sidomos Enver Hoxha, i cili për ta ruajtur liderizmin dhe për ta ndërtuar kultin e tij prej lideri të pavdekshëm, ai do e përdorë diktaturën si mjetin më efikas për ta qeverisur Shqipërinë i vetëm dhe i pa asnjë konkurrencë.

E gjithë kjo ambicie dhe dëshirë e madhe për t’u bërë “babai i kombit” si dhe lider historik i kombit shqiptar, historikisht dihet se çfarë dëmesh i ka sjellë kjo, së pari Shqipërisë, pastaj edhe Kosovës, duke e shndërruar një popull të tërë në një masë amorfe pa të drejta elementare njerëzore dhe politike, duke ia mohuar të drejtën për t’u zgjedhur dhe për ta zgjedhur me votë të lirë udhëheqësin e popullit, siç vepruan kombet tjera në Evropën perëndimore, që nga pas Lufta e Dytë Botërore e deri më sot.

Pra, për aq sa sistemi komunist ka prodhuar diktatorë dhe masa popullore të sunduara nga regjimi monist-diktatorial, po aq ka qenë e kobshme për fatin e kombit shqiptar, ambicia e sëmurë e politikanëve për t’u bërë liderë kombëtar, ambicie e cila ka vazhduar të shfaqet edhe pas rrëzimit të diktaturës komuniste në Shqipëri, ku disa ish politikanë komunist tentuan që me çdo kusht të bëhen liderë kombëtarë, duke e keqpërdorur edhe sistemin pluralist si dhe partitë politike, kryekëput për interesa personale e në dëm të interesave kombëtare, dhe, ç’është më e shëmtuara, duke ia vjedhur votat elektoratit naiv shqiptar dhe të pa përvojë demokratike. Mjerisht, ky mentalitet dhe kjo trashëgimi e vrazhdë komuniste bëri që shumë lehtë të vidhen dhe manipulohen votat e popullit nga liderët partiakë, një logjikë dhe praktikë kjo e cila edhe sot po vazhdon në Shqipëri.

Mjerisht, politikanët shqiptarë pa dallim, as për 30 vite të demokracisë në Shqipëri, si dhe as për 25 vite pas çlirimit të Kosovës, ku sistemit pluralist shumë partiak u bë funksional, nuk kanë arritur të çlirohen nga ambiciet e tyre të sëmura për t’u bërë me çdo kusht dhe çmim liderë nacionalë, madje deri në ambicien e të qenit “babai i kombit”, duke mos e kuptuar faktin, se lideri nacional lindet nga natyra dhe nga vetë Zoti, e jo nga të qenit politikan, fakt i cili nuk të bën kurrë lider të një populli dhe një kombi. Dhe, pikërisht injorimi i këtij fakti nga të gjithë politikanët shqiptarë në të dy anët e lumit Drin, i bëri që të bien thellë në grackën e ambicieve të tyre karrieriste, duke përfunduar si politikanë minorë dhe të parëndësishëm për kombin.

Ja disa liderë evropian të lindur nga natyra dhe nga Zoti, filluar nga De Goli në Francë, Konrad Adenauer dhe Willy Brandt në Gjermani, Mustafa Kemal Atatürk në Turqi, Winston Churchill në Angli, Lech Walesa në Poloni, Václav Havel në Çekosllovaki, Michail Gorbatschow në Rusi, Alija Izetbegović në Bosnje, Ibrahim Rugova në Kosovë, etj., të cilët lindën si liderë, por që nuk u bën të tillë nga politika, veçse nga karizma e tyre e lindur krejtësisht natyrshëm, mbase dihet mirëfilli se këtë karizëm natyrore nuk e posedon çdo politikan, sado që kanë qenë të aftë në vendet e tyre përkatëse.

I përmenda vetëm disa emra të liderëve historik tek disa popuj në Evropë, për ta sqaruar faktin, se tendencat dhe ambiciet e disa politikanëve shqiptarë për t’u ngritur në nivel liderësh nacional pas vitit 2000 e deri më sot, përveç se kanë qenë punë sizifi, ato ishin shumë të dëmshme për kauzën shqiptare në Ballkan, sidomos për Kosovën, e cila nga lufta e fundit (1998-99) kishte dalë e shkatërruar tërësisht, dhe, e cila kërkonte që në ballë të saj të kishte politikanë të përgjegjshëm moralisht, dhe jo të tillë, të cilët interesin personal e venin hapur mbi interesin kombëtar. Prandaj, si të tillë ata kurrë nuk arritën të bëhen liderë nacional, ose “baba të kombit”, sepse u mungonte morali dhe ndërgjegjja e pastër kombëtare, sepse ishin njerëz shumë të vegjël në politikë, të cilët i dominonte plotësisht ambicia karrieriste si dhe dëshira e të qenit njerëz të famshëm në shoqëri, e që në fakt, ishin pikërisht këto veti dhe antivlera, të cilat ua mbytën egot dhe dëshirat e tyre për t’u bërë liderë kombëtarë.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit