Kryeqyteti i Kosovës u trondit të martën nga një ngjarje tragjike, ku një person humbi jetën dhe një tjetër u plagos nga gjuajtjet me armë zjarri. Një nga të përfshirët në këtë akt kriminal është Alban Gashi, i cili gjithashtu siç ka mësuar ka mbetur i plagosur dhe është në arrati që prej katër ditësh.
Ngjarja ndodhi në lokalin në rrugën “Bajram Kelmendi”, ku Naser Gashi, rreth 60 vjeç, humbi jetën, ndërsa Miftar Miftari u plagos.
Sipas burimeve Alban Gashi, i cili së bashku me një shok të pa identifikuar kreu krimin, është ende në arrati.
Në momentin e krimit, ai dhe shoqëruesi i tij ishin të maskuar dhe të armatosur.
Raportohet se akti kriminal mund të ketë lidhje me mosmarrëveshje të pazgjidhura mes Albani Gashit dhe Miftar Miftarit që datojnë nga periudha e qëndrimit të tyre në Spanjë.
Ata dyshohen se kishin pasur konflikte të mëparshme, dhe sipas informacioneve, ata ishin kthyer në Kosovë vetëm disa ditë përpara ngjarjes.
Gjenden armët e fshehura
E lidhur me këtë rast, sot Policia përmes raportit 24 orë ka dhënë detaje shtesë.
Policia e Kosovës ka siguruar informacione se armët e përdorura në kryerjen e veprës penale të lartcekur gjenden të fshehura në magjistralen Prishtinë – Mutivodë.
Lidhur me rastin në lokacion kanë dalë njësitë përkatëse policore dhe në konsultim me prokurorin e rastit kanë bërë sekuestrimin e tri armëve të zjarrit: një armë zjarri AK 47, një armë zjarri e tipit TT dhe një armë zjarri COLT.
Në raportin e saj, policia konfirmon se rasti është cilësuar si “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje dhe armëmbajtje pa leje”.
Hetimet po vazhdojnë intensivisht për të identifikuar dhe arrestuar personat e dyshuar, si dhe për të ndriçuar të gjitha rrethanat e ngjarjes.
“Policia e Kosovës po vazhdon të punojë intensivisht në hetimin dhe ndriçimin e plotë të rastit, si dhe sjelljen para organeve të drejtësisë së personave të dyshuar”, thuhet në njoftim.