Shpërthimi mbrëmjen e së premtes i shkaktoi dëme të konsiderueshme kanalit të ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut, duke rritur frikën se shumë pjesë të vendit do të mbeteshin pa ujë dhe rrymë.
Kosova dhe Bashkimi Evropian e kanë cilësuar këtë sulm si akt terrorist, ku natyrshëm dyshimet e para për këtë shpërthim janë te Serbia.
Madje, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se autoritetet serbe po zhvillojnë një hetim për një shpërthim ndaj një kanali të Ibër-Lepencit në veri të Kosovës, duke i hedhur poshtë përsëri akuzat e se Beogradi ka gisht në sulmin ndaj infrastrukturës jetike të Kosovës.
Avokati serb, Cedomir Stojkoviq, i cili njihet si kritikues i qeverisë së Beogradit, komentoi këtë shpërthim në Ibër-Lepenc dhe reagimet e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Madje, ai reagoi ashpër ndaj këtij shpërthimi, derisa tha se ka ende disa gjëra të paqarta për këtë sulm terrorist.
Avokati e vuri theksinë tek një deklaratë që Vuçiq e bëri në konferencën e fundit për media, ku tha se po tenton t’i frikësojë të gjithë serbët në Kosovë.
“Shumëçka është e paqartë për këtë sulm terrorist, por ajo që është e qartë është se presidenti i Serbisë, gjatë një konference për media që thirri lidhur me incidentin, deklaroi se “serbët që janë punësuar në institucionet e Kosovës, duke punuar në mirëmbajtjen e liqenit të Gazivodës, janë tradhtarë, që punojnë drejtpërdrejt kundër interesave të Serbisë”. Me këtë deklaratë ai praktikisht i frikësoi të gjithë serbët në Kosovë, duke i paralajmëruar që të mos bashkëpunojnë me shtetin e Kosovës.
Kjo është hera e parë që politika e tij shprehet hapur, publikisht dhe zyrtarisht në këtë mënyrë. Nëse Presidenti i Serbisë i frikëson serbët duke i etiketuar si tradhtarë, thjesht sepse janë të punësuar në institucionet e Kosovës për të mirëmbajtur liqenin e Gazivodës, atëherë kjo u dërgon një mesazh të qartë serbëve në Kosovë se ata nuk mund të jenë qytetarë të Kosovës. Indirekt është mesazh se duhet të luftojnë kundër shtetit të Kosovës për të mos u konsideruar si tradhtarë prej tij”.
Po ashtu, Stojkoviq e ndërlidhi këtë ‘kërcënim’ të Vuçiqit ndaj serbëve që punojnë për institucionet e Kosovës, si shtysë për disa serbë që të sulmojnë në Kosovë dhe të shpallen heronj si Radoiçiqi.
“Mirëpo, nëse presidenti i Serbisë i shënon ata serbë që janë të punësuar në mirëmbajtjen e sistemit liqenor të Gazivodës si “tradhtarë të Serbisë”, kjo do të thotë njëkohësisht se ata që shkatërrojnë sistemin liqenor të Gazivodes janë heronj dhe patriotë në sytë e tij. Sulmi terrorist ka ndodhur pikërisht në kanalin që është pjesë e sistemit liqenor të Gazivodës. Nëse Presidenti i Serbisë i kornizon gjërat në këtë mënyrë në politikën publike, ne vetëm mund të imagjinojmë se si i kornizon ato në politikë të fshehtë. Një politikë e tillë i dekurajon serbët nga Kosova që të punojnë në mirëmbajtjen e sistemit të kanaleve të liqenit të Gazivodës, sepse Beogradi do t’i etiketojë ata si tradhtarë. Si rezultat, disa serbë do të përpiqen të etiketohen si patriotë nga Beogradi – dhe në një situatë të tillë, bëhet e lehtë për dikë që të vendosë të vendosë eksploziv në kanalin e furnizimit me ujë në përpjekje për të dëshmuar patriotizmin e tyre ndaj Beogradit, veçanërisht nëse ata dijeni se në një rast të tillë do t’u jepet imunitet në Beograd, ashtu siç mori Radoiçiq pas sulmit në Banjskë”, shpejgoi ai.
Ndër të tjera, avokati serb potencoi se është shumë e qartë që Serbia po motivon serbët që të tentojnë ta shkatërrojnë Kosovën, pasi nëse veprojnë ndryshe ai i cilëson si tradhtarë.
“Pra, përderisa nuk e di se kush ka organizuar çfarë apo kush ka qenë i përfshirë, pas kësaj deklarate të Presidentit të Serbisë, më është e qartë se autoritetet në Beograd pa mëdyshje po i motivojnë serbët nga Kosova që patriotizmin e tyre ta kanalizojnë drejt Serbisë përmes shkatërrimit të Kosova. Sepse nëse veprojnë ndryshe, presidenti i Serbisë do t’i etiketojë si tradhtarë”, përmbylli Cedomir Stojkoviq.