Emri i tij është përfolur për implikime në ngjarje të bujshme kriminale në Shqipëri.
Një atentat mafioz ka ndodhur mbrëmjen e sotme në Lezhë. Mësohet se është vrarë me armë zjarri Gjovalin Prendi, babai i Sidorel Prendit, i njohur edhe si Roan Brahimi.
Ky i fundit një vit më parë u vra në mes të Athinës. Ai u qëllua brenda në makinë në prani të bashkëshortes dhe fëmijës së mitur.
Gjithçka ka ndodhur në kryqëzimin e rrugëve Messolongiou dhe Tsaldari. Makina e zezë i afrohet sheshit Lazarus. 32-vjeçari është në sediljen e shoferit, gruaja e tij në vendin e pasagjerit, ndërkohë që në shesh ndodhet fëmija i tyre 7-vjeçar së bashku me gjyshen.
Sapo sheh makinën e zezë të prindërve të tij, fëmija vrapon drejt tyre. Në të njëjtën kohë, një motoçikletë i afrohet makinës së zezë. Dy vrasësit me pagesë mbajnë helmeta të errëta që mbulojnë tiparet e tyre. Ata qëndrojnë pranë derës së shoferit dhe qëllojnë ndaj shqiptarit.
Dy plumba i prenë fillin e jetës. 32-vjeçari bie i vdekur. Përballë fëmijës së tij që qan “Babi”. Gruaja e tij fillimisht humbet ndjenjat, zbret nga sedilja e pasagjerit dhe kalon në gjendje shoku. Nga njëra mbetet 32-vjeçari i vdekur nga ana tjetër gruaja e tij e mbuluar me gjak.
“Dritarja ishte pak e hapur dhe e qëlluan nga kjo vrimë. Prisnim të vinte fëmija dhe më pas pashë makinën që po vinte dhe e qëlluan”, tha bashkëshortja e viktimës.
Emri i tij është përfolur për implikime në ngjarje të bujshme kriminale në Shqipëri.
Sakaq, Roan Brahimi është i dyshuari kryesor i masakrës së Milotit, ku pas breshërisë me armë mbeti viktimë Klisman Preçi dhe u plagos rëndë Ylli Ibrahimi (Brahja), krahu i djathtë i Ervis Martinajt.
Roan Brahimi kishte konflikt me Ylli Ibrahimin, për shkak të një borxhi të pashlyer. Roan Brahimi u shpall në kërkim edhe për ngjarjen e ndodhur në 2021, ku u futën në ambientet e një lokali në Zejmen të armatosur.
Në atë kohë në kërkim u shpallën edhe Ramazan Rraja, dhe Alesio Dobrozi. Ai po ashtu dyshohet se ka qenë i përfshirë në atentatin ndaj Brilant Martinaj, kushëriri i Ervis Martinajt. Ky i fundit rezulton i zhdukur prej muajit gusht të vitit 2022 dhe ende nuk ka informacion mbi fatin e tij.
Bashkë me Brilant Martinaj humbën jetën dhe dy miqtë e tij, Besmir Hoxha dhe Dikler Vata, të cilët u ekzekutuan egërsisht. Ngjarja kriminale ndodhi më 17 korrik në 2022 në mbikalimin e Fushë-Krujës. Nuk e dimë nëse ngjarja sot është po pjesë e sagës së hakmarrjes.