Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se shteti që ai përfaqëson ka mëdyshje se sa është e përkushtuar qeveria e drejtuar nga Albin Kurti për partneritet me ShBA-të.
Këto komente, Hovenier i ka bërë në një intervistë për “Radio Evropa e Lirë”, të martën, pasi që është pyetur se a e konsiderojnë ShBA-të Kurtin partner dhe a i konsideron kryeministri ata partner, pas mosmarrëveshjeve të fundit – dhe jo vetëm – në lidhje me hapjen e Urës mbi lumin Ibër për qarkullim të automjeteve.
ShBA-të dhe vendet e tjera perëndimore kanë kundërshtuar hapjen e urës së Ibrit, derisa qeveria është duke insistuar dhe ka ndërmarrë disa veprime për hapjen e saj.
“Nuk mund të flas se si na konsideron ai. Mund të them vetëm se nga këndvështrimi i Qeverisë së Shteteve të Bashkuara, jemi sfiduar nga kryeministri dhe Qeveria e tij në disa mënyra”, tha Hovenier.
Megjithatë, në disa çështje, diplomati amerikan potencoi se “kemi partneritet të mirë dhe të ngushtë”.
“Kemi punuar së bashku në disa gjëra të rëndësishme për të përmirësuar ekonominë e Kosovës dhe jemi përpjekur për ta ndihmuar vendin që të krijojë një sistem ekonomik që iu ofron mirëqenie më të mirë. Kemi arritur përparim të njëmendtë me autoritetet e shtetit të Kosovës për t’i ndihmuar institucionet mjaft të reja të Qeverisë, që të jenë më efikase në punën e tyre dhe për të ofruar shërbime më të mira për qytetarët, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit”.
Por, për këto çështje, ai pohoi se “më duhet të them se jemi sfiduar nga kryeministri dhe Qeveria e tij, dhe më duhet të them se cilësia e partneritetit tonë nuk është ajo që do të shpresonim të ishte për disa nga këto çështje që lidhen me mënyrën se si merret me çështjen e veriut dhe me atë të dialogut”.
“Këtë nuk e them vetëm unë. Para pak kohësh, këtu ishte një nënsekretare jona e Shtetit, e cila foli për nevojën dhe shpresën tonë për bashkërenditje dhe bashkëpunim më të mirë. Jim O’Brien, ndihmës-sekretari ynë për Evropën, ka folur publikisht për këtë”, rikujtoi.
Pasi që u pyet se sa kohë do të lejojnë SHBA-të të sfidohen nga Kosova, ai ritheksoi se Kosova është shtet sovran dhe “ne e pranojmë si të tillë”, duke shtuar se “nuk e di nëse është çështje e tolerancës”.
“Mendoj se më shumë ka të bëjë me cilësinë e partneritetit tonë. Kemi mëdyshje se sa e përkushtuar është kjo Qeveri për partneritet me ne”, pohoi.
“Kur flasim me një Qeveri për gjërat që mund të bëjë të cilat shtojnë rrezikun për ushtarët tanë dhe nuk jemi të bindur se po marrim një përgjigje efektive”, theksoi Hovenier, duke shtuar se “kjo ndikon në pikëpamjen tonë se deri në çfarë mase kjo Qeveri po i merr parasysh shqetësimet tona, sa e përkushtuar është kjo Qeveri ndaj partneritetit që duam të kemi”.