Sot, në sallën sportive “Ilaz Kodra” në Burojë të Skenderajt, është duke u mbajtur ceremonia e ngushëllimit për Haxhi Thaçin, babain e ish-presidentit Hashim Thaçi, i cili ndërroi jetë më 16 mars.
Familja Thaçi ka hapur dyert për të gjithë ata që dëshirojnë të shprehin ngushëllime dhe të nderojnë figurën e Haxhi Thaçit, një njeri i njohur për sakrificat e tij për atdheun.
Në mesin e qytetarëve që janë mbledhur nga të gjitha trojet shqiptare, për të ofruar ngushëllime, ka pasur një numër të madh personalitetesh të njohura dhe familjarë të afërt të familjes Thaçi.
Për të shprehur ngushëllime dhe për të nënshkruar në Librin e Zisë, sot në Burojë ishte i pranishëm edhe Klestor Veseli, djali i ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli, i cili ka ardhur bashkë me disa anëtarë të tjerë të familjes së tij.
Megjithatë, një figurë e rëndësishme ka munguar në këtë ceremoni – ish-presidenti Hashim Thaçi, i cili, për shkak të vendimit të Gjykatës Speciale, nuk ka mundur të merr pjesë në ceremoninë e varrimit të babait të tij.