Monday, April 28, 2025
spot_img

Historia e shqiptarit, dileri i drogës që u dëbua nga Britania tri herë radhazi

Autoritetet britanike janë duke u përpjekur ta dëbojnë për herë të tretë nga vendi një shtetas shqiptar, i dënuar disa herë për trafikim droge dhe pjesëmarrje në banda kriminale.

Ronaldo Zani, 26 vjeç, është deportuar dy herë më parë nga Mbretëria e Bashkuar, por ka hyrë ilegalisht në vend pas secilit dëbim, sipas Daily Mail.

Ai u kap për herë të fundit më 13 shkurt të këtij viti në qytetin Bournemouth, duke drejtuar një automjet pa patentë dhe sigurim.

Policia zbuloi mbi 2 mijë euro para të gatshme dhe 24.75 gramë kokainë në posedim të tij, me një vlerë në rrugë prej rreth 3 mijë eurosh.

Zani u deportua fillimisht në vitin 2019, pasi u dënua për shitje kokaine. Ai u kthye disa muaj më vonë dhe rifilloi aktivitetin kriminal, duke u thënë klientëve të tij: “Jam kthyer në punë”.

Në një nga arrestimet e mëvonshme, autoritetet gjetën në posedim të tij 5 mijë euro, kokainë, tre telefona të llojit “njëpërdorimësh”, peshore, lista klientësh dhe një kartë identiteti të rreme greke.

I riu shqiptar ka pranuar se po punonte për një bandë kriminale për të shlyer një borxh prej mbi 17,500 euro ndaj kontrabandistëve që e ndihmuan të futej në mënyrë ilegale në Mbretërinë e Bashkuar.

Pasi vuajti një dënim me burg prej tre vitesh, Zani u deportua për herë të dytë në maj 2021. Megjithatë, ai u rikthye sërish në mënyrë ilegale, duke hyrë në MB në pjesën e pasme të një kamioni.

Në seancën gjyqësore në Gjykatën Mbretërore të Bournemouth, gjyqtari Richard Fuller e dënoi Zanin me katër vjet burg dhe theksoi se priste që ai të dëbohej përsëri. “Nuk mund të ketë dhembshuri për dikë që me vetëdije punon për dilerët e drogës. Ju e dinit në çfarë po futeshit,” tha ai.

Zani ka pranuar fajësinë për hyrje të paligjshme në MB, posedim prone kriminale, posedim kokaine me qëllim shpërndarjeje dhe drejtim automjeti pa patentë dhe sigurim.

Avokati i tij, Jonathan Rees, deklaroi se klienti i tij ishte kthyer në Britani me qëllim që të punonte në ndërtim, por mungesa e të ardhurave e kishte shtyrë të kthehej në rrjetet kriminale.

Një zëdhënës i Zyrës së Brendshme britanike u shpreh se: “Shtetasit e huaj që kryejnë krime të tmerrshme nuk duhet të kenë asnjë dyshim se do të largohen nga Mbretëria e Bashkuar sa më shpejt që të jetë e mundur”.

Ai shtoi se “që nga zgjedhjet, janë dëbuar 3,594 kriminelë të huaj, një rritje prej 16% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar”.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit