Sunday, April 6, 2025
spot_img

Heqja e flamurit kosovar në Kongresin e UEFA-s në Beograd, Çeku: Veprim i dënueshëm, i papranueshëm

Në Kongresin e UEFA-s të mbajtur në Beograd, Serbi, organizatorët vendas kanë hequr flamurin e Kosovës. Ky akt vjen edhe pse Kosova është anëtare me të drejta të plota në UEFA dhe FIFA. Megjithatë, Federata e Futbollit e Serbisë nuk e ka respektuar këtë status, duke shkaktuar reagime të ashpra nga autoritetet kosovare.

Lidhur me këtë ka reaguar edhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Hajrulla Çeku, duke e cilësuar këtë veprim si të papranueshëm dhe të dënueshëm.

“Fillimisht, çfarëdo largimi i flamurit të Kosovës është veprim i dënueshëm. Është totalisht i papranueshëm për ne si shtet, si institucione. Ky veprim është edhe kundër vetë rregullave të UEFA-s, sepse Federata jonë e Futbollit është anëtare me të drejta të plota në UEFA. Për këtë arsye, ne presim edhe sqarime nga vetë UEFA,” ka thënë ministri Çeku.

Ministri theksoi se ngjarja u zhvillua në Serbi, por përgjegjësia është e përbashkët mes Federatës së Futbollit të Serbisë dhe UEFA-s, duke shtuar se ngjarja ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë në imazhin e Kosovës si shtet.

Ai ka theksuar gjithashtu se gjuha e përdorur nga Federata e Futbollit të Serbisë është një konfirmim i qasjes armiqësore të këtij shteti ndaj Kosovës.

Për këtë arsye, Ministri Çeku ka kërkuar që UEFA të japë një sqarim zyrtar për këtë incident dhe të bëhet e qartë se kush do të mbajë përgjegjësi për këtë akt të papranueshëm që ndodhi në Kongresin e UEFA-s.

“Pra, në këtë moment, është shumë e rëndësishme që të presim edhe sqarimin zyrtar nga UEFA, sepse kjo ka qenë ngjarje e tyre dhe të kuptojmë saktë se çfarë ka ndodhur. Dhe pas asaj, të dimë se kush duhet të japë përgjegjësi për këtë veprim totalisht të papranueshëm dhe të dënueshëm që ka ndodhur në Kongresin e UEFA-s,” ka thënë ministri Çeku.

Federata e Futbollit të Serbisë ka konfirmuar se ka hequr simbolet e Kosovës gjatë Kongresit, ndërsa Federata e Futbollit e Kosovës ka deklaruar se Kosova mori pjesë në ngjarje me simbolet shtetërore.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit