Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka shkruar për mospërkrahjen e opozitës për votimin e buxhetit për vitin 2025. Murati në një reagim në ‘facebook’ ka thënë se opozita e dinë që s’do të vijnë në pushtet dhe për këtë arsye, sipas tij, ata s’janë përfshirë në miratimin e tij.
Kreu i MF tutje thotë se partitë opozitare e dinë që s’do t’iu vije rasti për të menaxhuar me buxhetin.
Postimi i plotë:
Në seancën e djeshme për buxhetin, opozita e dëshmoi që as ata vetë nuk e besojnë, kur e thonë se do të vijnë në qeveri pas 9 shkurtit.
Në fund të vitit 2020, kur Qeveria Hoti e përbërë nga opozita e sotme dhe e shpallur e paligjshme, kishte sjellë në Kuvend Ligjin e Buxhetit për vititn 2021, Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje pati vendosur ta votonte buxhetin e përgatitur nga qeveria në ikje.
Kjo për arsye se ne ishim plotësisht të bindur që pas zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021, do të ishim ne ata që do të udhëheqnim me qeverinë, dhe ishim të interesuar që çështja e buxhetit të kryhej sa më shpejtë, e me sa më pak amandamente, ashtu që kur të vinim ne në qeveri, edhe rishikimi i buxhetit të ishte më i lehtë.
Tani, po ta besonte opozita aktuale njëmend se do të vijnë në pushtet, ashtu siç pretendojnë nëpër studio televizive, patjetër se dje do duhej që edhe ata ta votonin ligjin e buxhetit, njësoj sikurse e patëm bërë ne në vitin 2020.
Por as vetë partitë opozitare nuk e besojnë që do të jenë në qeverisje pas 9 shkurtit, prandaj edhe ikën nga seanca dje, të painteresuar fare se çfarë buxheti po miratohej – sepse nuk do t’u vije rasti për ta menaxhuar.