Për shkak se mbrojtja nuk e ka pranuar ankesën e Prokurorisë ndaj vendimit të Themelores me të cilin kryekuvendari Glauk Konjufca ishte liruar nga akuza për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend, është ndërprerë seanca në Gjykatën e Apelit.
Në aktakuzë thuhet se në Kuvendin e Kosovës më 10 gusht 2016, në cilësi të deputetit, Konjufca ka hedhur gaz lotsjellës në sallë, me ç’rast është pamundësuar qëndrimi në sallë.
Kryetari i kolegjit të Apelit, gjykatësi Skender Çoçaj bëri të ditur se ndaj vendimit të Themelores, ankesë ka ushtruar Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Në seancë mungoi Konjufca, për të cilin gjykatësi Çoçaj tha se ftesa i është dorëzuar, mirëpo adresa ka rezultuar jo e saktë.
Mbrojtësja e Konjufcës, avokatja Arbnora Zeqiri tha se prezenca e Konjufcës nuk është e obligueshme në këtë seancë, por nëse është e nevojshme do komunikojë me të.
Sipas Zeqirit, kryeparlamentari Konjufca është i njoftuar për seancën.
“Ne si mbrojtje nuk kemi pranu ankesë, nga gjykata e shkallës së parë, që të na jepet mundësia të përgjigjemi”, tha Zeqiri, raporton Betimi për Drejtësi.
Avokatja kërkoi që kërkesa t’iu dorëzohet në mënyrë zyrtare. Në këto rrethana, për shkak se mbrojtja nuk e ka pranuar ankesën, seanca e sotme u ndërpre.