Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, thotë se nuk do të përfshihen në asnjë koalicion qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje.
Sipas tij, nëse kjo e fundit si parti fituese e zgjedhjeve nuk arrin të formojë ekzekutivin dhe radha kalon te partitë e tjera, atëherë janë të hapur për të parë mundësinë e formimit të qeverisë.
Mirëpo, siç thekson Haziri, qeveria duhet të udhëhiqet nga Lumir Abdixhiku dhe fokus të jetë programi zgjedhor i LDK-së. Megjithatë, ai deklaron se në takimet e Abdixhikut me kryetarin e PDK-së Memli Krasniqi dhe kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj nuk është diskutuar ndarja e pushtetit, por vetëm është konstatuar gjendja aktuale politike.
Përkitazi me këtë, Haziri në një intervistë për KosovaPress thotë se “LDK-ja nuk do të mbajë mbi shpinë askënd në interes të Kosovës e aspak në interes të vetin”.
Mirëpo, ai e vë në pah edhe rrezikun që vendi të shkojë në një krizë të re politike.
Haziri deklaron se do të respektojnë rezultatin dhe besimin e dhënë nga qytetarët, megjithatë përsërit frazën e famshme të tij se “formimi i qeverisë së ardhshme kalon nga zyrat e LDK-së”.
“Roli jonë është ‘as-as’, duhet lexuar drejt. Nuk është i kushtëzuar dhe që nuk ekziston komunikim. E vetmja mungesë komunikimi që LDK-ja tani e ka është me LVV-në. S’ka as bashkëpunim partiak dhe bashkëpunimi institucional në Kuvend është bërë njëanshëm nga LDK-ja. Sa është lexuar bashkëpunim ai është diçka tjetër, por ne kemi vepruar për qëllime politike më të mëdha. Tash jemi në pozicionin e njëjtë”.
“’Jo’-në tonë karshi bashkëpunimit me LVV-në në formim të ekzekutivit e kemi bërë të qartë. Në anën tjetër, raporti me partitë e dytë dhe partitë tjera që janë në Kuvend, AAK-Nisma dhe pakicat etnike, ne kemi bashkëpunim dhe komunikim për aq sa ka nevojë ky proces zgjedhor. Mirëpo, në shpinë me bartë dikë, më jo! LDK-ja në këto 25 vjet i ka mbajtur të gjitha partitë politike në shpinë. Ka dalë e para, ia ka dhënë të tretit, po ashtu ka dalë e dyta, ka udhëheq qeverinë dhe çdo formulë politike që ka qenë në Kosovë, LDK-ja e ka kapitalizuar në interes të Kosovës dhe shumë më pak në interes të vetin. Këto zyre që po shihni ju prapë mbeten zyra që kalon kryeministri dhe presidenti. Sërish pse e kemi atë rol. Ne nuk jemi arrogantë në politikë dhe nuk shantazhojmë politikisht”, tha Haziri.
Pasi konfirmon takimet e Abdixhikut me liderët e partive të tjera opozitare, Haziri thotë se për LDK-në është primare harmonizimi i programit qeverisës, por sipas tij, të njëjtin duhet ta udhëheqë në qeveri lideri i partisë.
KQZ të enjten certifikoi rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit, ku Lëvizja Vetëvendosje fitoi 42.30 për qind, Partia Demokratike e Kosovës 20.95 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës 18.27 për qind dhe koalicioni AAK-Nisma 7.06 për qind.