Ish-komandanti i UÇK-së, Nasim Haradinaj, tha se çdo ditë po dëshmohet se Gjykata është një etnike e ndërtuar politikisht, me qëndrime destruktive për të njollosur UÇK-në.
“Tara me plot të drejtë kërkoi që t’i dal përpara deklarata e tij, që siç besoj unë, asnjëherë nuk e ka thënë e as nënshkruar. Tara, deshi të dëshmonte dhe nuk e refuzoi dëshminë, por deshi të tregonte çka kanë manipuluar me deklaratat e dëshmitarëve, sidomos me ata që nuk kanë mundur t’i bindin që të flasin kundër dhe të shpifin. Tara ka bërë punë shumë të drejt, dhe ka të drejtë për revoltë”, tha tutje Haradinaj.
Ai tha se, Trupi Gjykues është dashur ta urdhëronte prokurorinë t’i publikonte ato dokumente. “Prokuroria nuk deshi t’i publikonte sepse dëshmohej ajo që thoshte Tara, se ato ishin manipuluar, e gjyqtari nuk ishte i interesuar të zbulohej kjo”, tha, Haradinaj në edicionin special në RTK.
Por, Skënder Musa, avokat i akredituar nga specialja, tha se në aspektin juridik, nuk ishte zgjidhje e mirë që të refuzohet dhënia e dëshmisë.
“E në aspektin si jemi mësuar ne, që t’i konsiderojmë gjyqet si akte patriotike, nuk besoj që i shërben procesit gjyqësor dhe nuk i ndihmon të akuzuarve. Është fakt, në të gjitha gjykatat në Kosovë e Evropë, dëshmitari nuk ka të drejt ta kritikojë punën e gjykatës, të prokurorisë. Është i obliguar të përgjigjet në pyetjet e parashtruara, e ka obligim dhe nuk varet nga vullneti i tij kujt do e kujt nuk do t’i përgjigjet. Unë mendoj që ka dështuar të sqarojë atë që ai donte të sqaronte”, tha ndër të tjera, Musa.
Ndërkaq, Astrit Kolaj nga IKD-ja, tha se ajo që ndodhi përgjatë dy ditësh në rastin e dëshmitarit Ismet Tara, është një sfidë e vazhdueshme me të cilën ballafaqohet kjo gjykatë.
“Rasti i Ismet Tarës është një rast i ankesave të shpeshta që kanë paraqitur edhe dëshmitarë tjerë në forma të marrjes në pyetje, me përmbajtjen e deklaratave të tyre. Sa i përket asaj, a ka bërë mirë që nuk ka dëshmuar, në aspektin juridik, nuk i shkon për favor palëve të dëmtuara”, tha ai, ndërsa shtoi se, derisa prokuroria është dashur ta argumentonte, dhe me lehtësi u tërhoq.
Ndërkaq, Muhamet Mavraj tha se Tara nuk ka refuzuar që të dëshmojë, ai ka shkuar si dëshmitar i prokurorisë, iu ka përgjigjur seancave.
“Aksidentalisht ka hasur në një dokument dy fletësh që nuk ka përkuar asgjë me dëshminë e tij. Ai nuk e refuzoi prokurorinë, ai pranoi pyetjet e mbrojtjes e tha se në të njëjtën pyetje mund t’i përgjigjem edhe prokurorisë. Nuk i ka dëmtuar fare në asgjë mbrojtjen, madje i ka hapur rrugë mbrojtjes, por edhe dëshmitarëve që kanë mbetur, që të jenë këmbëngulës, nëse kanë hasur në diçka të tillë, të mos heshtin, por të tregojnë”, tha ai.