Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar ndaj situatës së krijuar pas dështimeve të njëpasnjëshme për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke e quajtur këtë një sjellje të turpshme që dëmton jo vetëm deputetët, por edhe vetë shtetin e Kosovës.
Në një postim në Facebook, Haradinaj ka theksuar se seancat e përsëritura çdo 48 orë pa ndonjë vendim konkret janë bërë model i “papjekurisë shtetërore”, duke shkaktuar pasoja politike dhe ekonomike për vendin.
Ai e ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për ndryshim të mënyrës së votimit në mes të procesit, gjë që sipas tij përbën shkelje të rëndë të Kushtetutës.
Për të kërkuar një zgjidhje ligjore, Haradinaj ka bërë të ditur se Grupi Parlamentar i AAK-së, me mbështetjen e deputetëve nga LDK dhe PDK, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të shqyrtuar shkeljet në këtë proces dhe për të ofruar një rrugëdalje nga kriza institucionale.
“Deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese, i cili shpresojmë të jetë i shpejtë, kemi kërkuar masë të përkohshme që të ndërpritet shpërfytyrimi i Parlamentit me seancat qesharake e pa asnjë produkt”, ka shkruar Haradinaj.