Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kritikuar qëndrimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) lidhur me formimin e një qeverie të re, duke e cilësuar atë si pengesë në këtë proces.
Në një deklaratë gjatë një debati televiziv, Haradinaj tha se LDK po e pamundëson krijimin e një qeverie opozitare, për shkak të kushteve të vendosura ndaj partive tjera.
“Aktualisht, pozicioni i LDK-së është bllokues. Nuk e mundëson krijimin e qeverisë së opozitës”, u shpreh ai.
Nga ana tjetër, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ka bërë të qartë se partia e tij nuk do të bashkëpunojë me Lëvizjen Vetëvendosje (VV) dhe se nuk do të jetë pjesë e asnjë qeverie pa pozitën e kryeministrit.
Kushtet e vendosura nga LDK për bashkëpunim me PDK-në dhe AAK-në kanë krijuar një situatë ku palët opozitare nuk po arrijnë të gjejnë një zgjidhje të përbashkët për një qeveri të re.