Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Haki Abazi, ka reaguar pas publikimit të rezultateve të zgjedhjeve.
Abazi ka falënderuar votuesit për mbështetjen dhe ka uruar që Kuvendi të rikthehet në një institucion të vërtetë demokratik.
Ai e ka cilësuar procesin zgjedhor si një demonstrim të lartë të kulturës demokratike të qytetarëve, por ka kritikuar administrimin e votës dhe ka ngritur shqetësime për manipulime dhe keqpërdorime.
“Administrimi i votës dhe mbrojtja e integritetit të saj kanë shënuar pikën më të ulët. Është për keqardhje që 25 vite pas luftës, për herë të parë ndodh kjo gjë, duke krijuar shijen e keqe dhe duke ngritur dyshime për manipulime”, ka shkruar ai.
Abazi ka theksuar se varfëria ekonomike dhe mungesa e mendimit kritik kanë ndikuar në orientimin e votës dhe përfaqësimin në Kuvend, duke e cilësuar këtë një rrezik për demokracinë. Ai ka kritikuar ashpër popullizmin dhe mungesën e debatit të hapur, duke thënë se fushata zgjedhore është karakterizuar nga fyerje dhe shmangie e llogaridhënies.